Tiranë, 16 shkurt, NOA - Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e Task Force-s për Reformën Rregullatore, e cila u ndal në reformën e thellë në sistemin e Inspektoriateve në Shqipëri dhe prioritetin që kjo reformë ka për qeverinë shqiptare. Në këtë mbledhje u diskutua hollësisht mbi modelet e paraqitura nga ekspertët në mbledhjen e shkuar mbi këtë çështje dhe u hodhën idetë dhe bazat e një konkluzioni mbi një model përfundimtar të sistemit të inspektoriateve në Shqipëri, model i cili do të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të Task Force për Reformën Rregullatore.
Lidhur me katër modelet e përkrahura në vendet europiane në këtë drejtim, kryeministri Berisha nënvizoi se vendet e zhvilluara përdorin kryesisht modelin e parë të gërshetuar me modelin e dytë, kurse vendet me stadin e zhvillimit siç është Shqipëria, bëjnë një kombinim të modelit të tretë dhe të katër, të cilat konsistojnë në grupimin maksimal të mundshëm të inspektorateve në ministri dhe ngritjen e një autoriteti qendror për inspektoratet apo një inspektorat i përgjithshëm, i cili mbikëqyr jo tregun, por rregullat e inspektorateve dhe ka autoritet të qartë mbi to.
"Kjo formë inspektorati, - theksoi kryeministri Berisha, - është më e zakonshme në vendet e rajonit, si në Slloveni, Rumani, Kroaci, vende, të cilat nuk kanë krijuar në mënyrë përfundimtare, ose janë në konsolidim e sipër, të një forme inspektorati që nuk intimidon bizneset, në të kundërt, garanton ndershmërinë në treg, vendos standarde që ndihmojnë konkurrencën e ndershme dhe të lirë. Modeli ka një synim; të ketë sa më pak korrupsion dhe kjo është e domosdoshme".
Gjithashtu, në këtë mbledhje të Task Force-s u diskutuan bazat e një plani veprimi, i cili synon që modeli i inspektorateve të instalohet në kohën më të shpejtë të mundshme.
n.e/NOA