Prishtinë, 16 shkurt, NOA - Brenda gjysmës së parë të këtij viti duhet të sigurohet patjetër një zgjidhje për gjykatat në veriun e Kosovës. Një fakt të tillë e kanë bërë me dije ekspertët e misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në shtetin e ri të Evropës. Nga ana tjetër, zyrtarët e EULEX-it kanë bërë përgjegjës Beogradin zyrtar për mosarritjen e marrëveshjes për kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në gjykatat në veri.
Dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Gjykatat në veri të Mitrovicës, ende nuk kanë arritur të funksionalizohen, megjithë përpjekjet e autoriteteve ndërkombëtare për të arritur një zgjidhje për këtë çështje.
Gjykata në veri u mbyll pasi një numër protestuesisht serbë, në kundërshtim të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e morën atë nën kontroll.
Ata u liruan vetëm pas ndërhyrjes së autoriteteve ndërkombëtare, që çoi në vdekjen e një pjesëtari të policisë së UNMIK-ut, pas përplasjes me protestuesit serbë.
Por autoritetet e misionit të EULEX-it thonë se rikthimi i gjykatësve serbë dhe shqiptarë në gjykatat në veri është çështje urgjente dhe kanë fajësuar Beogradin zyrtar për pengimin e rifunksionalizimit të gjykatave.
n.e/NOA