Prishtinë, 16 shkurt, NOA - Komandanti i forcave të bashkuara aleate të NATO-s, Mark Ficxherald, bëhet me dijeni se pasnesër do të vizitojë Kosovën. Është paralajmëruar se gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ai do takohet me komandantin e KFOR-it, Markus Bentler, me të cilin do të diskutojë mbi të ardhmen e trupave ushtarake ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.
Para dy muajsh, ai zhvilloi edhe një vizitë në Beograd, ku konfirmoi se Aleanca së shpejti do t'i reduktonte me 4.500 forcat në Kosovë për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.
Konkretisht, komandanti i NATO-s për Evropën Juglindore, admirali Mark Fixherald, deklaroi në Beograd se NATO-ja do të mbajë 10 mijë trupa në Kosovë, dhe shtoi se mund të ketë reduktime të mëtejme.
Ai tha se forca e policisë së Kosovës dhe 2.500 punonjësit e policisë dhe drejtësisë të Bashkimit Evropian, gradualisht do të marrin përgjegjësitë nga paqeruajtësit e NATO-s. "Ne kemi 28 baza në Kosovë dhe presim t'i reduktojmë në 18 baza në janar dhe shkurt. Duke i liruar disa trupa tona atje, ato do të mund të përdoren për misione tjera", tha Fixherald gjatë kësaj vizite, gjë që pritet ta pohojë edhe në Prishtinë.
n.e/NOA