Tiranë, 16 shkurt, NOA - Dhoma e Tregtisë së Tiranës dhe shoqata e grave biznesmene kanë firmosur të martën një memorandum bashkëpunimi mes tyre. Kryetari Nikolin Jaka, në fjalën e tij ka premtuar fuqizimin e rolit të gruas në biznes.
"Dhoma e Tregtisë së Tiranës ka gati një program të detajuar i cili konsiston në rritjen e vendimarrjes nga gratë, do të rrisim prezencën e tyre në aktivitetet tona jashtë", u shpreh Jaka.
Bashkëpunimi është mbështetur dhe nga ministria e Punës. Zëvendësministrja Filloreta Kodra e ka vlerësuar memorandimin si mundësi punësimi për gratë. Në fjalën e saj, zonja Kodra u shpreh se vlerësimi dhe krijimi i shanseve të barabarta në fushat e sipërmarrjes dhe të drejtimit të bizneseve nga gratë, do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e punës së ministrisë për të bërë të mundur arritjen e barazisë gjinore në të gjitha drejtimet. Në të gjithë vendin numërohen mbi rreth 30 mijë biznese të vogla drejtohen prej grave.
b.a/NOA