Kakavijë, 16 shkurt, NOA - Greva e paralajmëruar e doganierëve grekë ka paralizuar sërish lëvizjet në pikat kufitare në jug të vendit. Kjo pasi doganierët grekë paralajmëruan një tjetër grevë 72-orëshe, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për uljen e pagave të tyre. Në kuadrin e kësaj, bëhet me dijeni se në pikat kufitare mund të kalojnë vetëm udhëtarët pa makina dhe bagazhe, por jo automjetet. E njëjta gjë mësohet se vlen dhe për pikë-kalimet e Greqisë me të gjitha vendet fqinje.
Kjo është greva e tretë e ndërmarrë nga pala greke brenda pak ditësh, gjë e cila ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mosfunksionimin e pikave kufitare me Greqinë në jug të vendit si ajo e Kakavijës, Çarshovës dhe Tre Urat.
Kujtojmë këtu, se vetëm pak ditë më parë, këto pika u bllokuan për 24 orë me radhë për shkak të grevës së punonjësve të shërbimit publik në Greqi.
n.e/NOA