English

Imami: Jo Ballkan i sigurt, pa një Kosovë të sigurt

Prishtinë, 16 shkurt, NOA - Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë u prit sot nga homologu kosovar, Fehmi Mujota gjatë vizitës së parë të një ministri Mbrojtje në Kosovën e pavarur. Gjatë vizitës që u zhvillua vetëm një ditë para festimit të dy vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Imami u prit me nderime të posaçme, me rreshtim e Njësisë Ceremoniale si dhe me ekzekutimin e himneve shtetërore nga trupa e FSK-së.

Në fillim të dy ministrat patën një takim kokë me kokë, pastaj u mbajt takimi në formacion të gjerë i dy delegacioneve.

Bëhet me dijeni se gjatë këtij takimi, ministri Mujota informoi ministrin Imami mbi procesin e ngritjes së strukturës së FSK-së, me përpjekje të vazhdueshme për të arritur kapacitetet e plota operacionale.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami deklaroi se Kosova trajtohet edhe nga NATO si një histori suksesi, pasi progresi i shënuar në këtë vend është i dukshëm. Ai theksoi faktin se stabiliteti dhe siguria në Kosovë janë premisa për një Ballkan të sigurt.

Në këtë kuadër, Imami dënoi sponsorizimin nga Beogradi të strukturave paralele në veri të Kosovës, ndërkohë që vlerësoi strategjinë e re të përpiluar nga qeveria e Kosovës -për të integruar vendin.

Ai e falënderoi qeverinë e Kosovës, ministrinë dhe FSK-në për ndihmën e ofruar gjatë përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, duke vlerësuar lartë angazhimin, përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar nga njësia e FSK-së.

Ai ritheksoi gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë për të ndihmuar në mënyrë të pakursyer FSK-në në të gjitha ato drejtime ku ekzistojnë mundësitë.

Më pas të dy ministrat nënshkruan marrëveshjen e Bashkëpunimit nndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.

Marrëveshja e Bashkëpunimit përqendrohet në shumë fusha me interes të përbashkët si: në fushën e politikave dhe doktrinës së sigurisë, stërvitjeve dhe seminareve të përbashkëta, arsimimit dhe trajnimit, shkëmbimit të informacioneve, dokumentacionit dhe fushën e legjislacionit, aktiviteteve të përbashkëta kulturore dhe sportive, marrëdhënie me publikun, si dhe fusha të tjera me interes të dyanshëm.

n.e/NOA

KOMENTE