English

Imami-Thaçi: Mbështetje FSK-së për të arritur standardet e NATO-s

Prishtinë, 16 shkurt, NOA - Qeveria shqiptare dhe ministria e Mbrojtjes do të japin ndihmën dhe kontributin e nevojshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky qëndrim i është konfirmuar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi nga ministri shqiptar i mbrojtjes Arben Imami, gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë.

Zyra e shtypit e ministrisë së Mbrojtjes bënë të ditur se Imami, ka ripërsëritur në këtë takim gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të dhënë kontributin e nevojshëm në ndihmë të FSK-së. Ai është shprehur gjithashtu se Shqipëria mbështet integrimin rajonal dhe më gjërë të Kosovës.

Nga ana tjetër, kryeministri Thaçi e ka vlerësuar shumë të rëndësishme përkrahjen e Shqipërisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). "Shqipëria si anëtare e NATO-së mund të bart përvojat e saj, në funksion të mbështetjes së FSK-së në procesin e avancimit të saj, sipas parimeve dhe standardeve bashkëkohore të NATO-s", ka nënvizuar Thaçi.

Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar lartë ndihmën e FSK-së në operacionet e kërkim-shpëtimit, gjatë përmbytjeve në pjesën veriore të Shqipërisë. Me këtë rast, Ministri Imami ka shprehur edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Shqipërisë për mbështetjen me rastin e kësaj fatkeqësie natyrore.

Pas takimit me Kryeministrin Thaçi, Ministri Imami ka bërë një vizitë në Prekaz, ku, i shoqëruar nga ministri i FSK-së Fehmi Mujota, ka kryer homazhe te varri i heroit Adem Jashari. Ministri Imami zhvilloi një vizite edhe tek vellai i Adem Jasharit, Rifat Jashari. Gjatë kësaj vizite, z. Imami u shpreh se sakrifica e familjes Jashari është një sakrificë sublime, e pakrahasueshme në shërbim të atdheut. "Emri i tij do të përmendet po aq gjatë sa do të flitet shqip," u shpreh Ministri Imami.

xh/NOA

KOMENTE