Nga"Wall Street Journal" President francez, Nikolas Sarkozi, javën e kaluar e ka miratuar shitjen e luftanijes "Mistral" në Rusi. Parisi, po ashtu, po e shqyrton kërkesën e Moskës edhe për tri luftanije të tjera, që me licencë do të ndërtoheshin në Rusi. Kjo është blerja e parë e madhe e luftanijes nga Perëndimi prej Luftës së Parë Botërore dhe është shitja e parë e madhe e armatimit në Rusi nga një vend anëtar i NATO-s.
Po, cili është reagimi i NATO-s? Sekretari i përgjithshëm, Anders Fog Rasmusen, nëpërmjet zëdhënësit shpalli se NATO-ja nuk e konsideron Rusinë kërcënim. Vendet Baltike dhe Gjeorgjia mendojnë ndryshe. Derisa Rusia ende nuk është partner i besueshëm, shitja e rrezikon sigurinë e anëtarëve të NATO-s dhe të aspirantëve. Duke iu shmangur periudhës sovjetike, Moska po planifikon të blejë armatim të sofistikuar nga jashtë: "Mistral-in" nga Franca, apo, siç është raportuar aktualisht, makinat e avancuara të terrenit, pa njerëz, nga Izraeli. Plani rus është që të prodhohet armatim pak a shumë i ngjashëm, ose të bëhet prodhimi i tyre nën licencë, për ta modernizuar armatën e vjetruar për shekullin XXI. Modernizimi detar i Rusisë, veçanërisht duhet ta brengosë NATO-n. Prej shekullit XVIII, Rusia tradicionalisht ka ndërtuar flotat e saj të vogla në Baltik dhe në Detin e Zi. Duke ndërtuar marinë moderne, do të keqtrajtohen fqinjët e Rusisë dhe do të hapen dyert për projeksionin e fuqisë së Rusisë në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme. Vendimi i Francës për të vazhduar me procesin e marrëveshjes, pa e marrë parasysh asnjë vërejtje të NATO-s, është veçanërisht shqetësues në prizmin e agresioneve aktuale të Moskës. Kanë kaluar vetëm 18 muaj kur rusët nuk patën konsideratë për presidentin Sarkozi, pasi ata refuzuan të bashkëpunojnë me marrëveshjen për armëpushim ndërmjet Gjeorgjisë e Rusisë, e ndërmjetësuar nga Franca, e të cilën e kishte nënshkruar presidenti Dmitri Medvedev. Pastaj, vjeshtën e kaluar Rusia e mbajti një ushtrim ushtarak, ku simulohej sulmi bërthamor kundër Polonisë. Edhe një herë NATO-ja nuk protestoi. Vitin e kaluar, Rusia e ndryshoi ligjin e saj duke i dhënë autoritet presidentit për vendosjen e trupave jashtë pa miratim parlamentar. Ndërsa, para dy javësh, zoti Medvedev e nënshkroi doktrinën e re ushtarake që NATO-n e shpall kërcënim dhe fton për mbrojtjen e atyre që definohen si "bashkatdhetarë", që paraqet nivelin për sulmet parandaluese atomike. Evropa i përshëndeti të gjitha këto politika destabilizuese duke u radhitur për blerjen e gazit rus, duke e pritur zotin Putin në Paris dhe Berlin dhe duke i shitur atij armatim modern. Lenini këtë e kishte cilësuar si "kapitalistët na shesin ne litarin, të cilin ne do ta përdorim për t'i varur ata". Por, kësaj radhe, Rusia mund të përpiqet t'i varë ukrainasit dhe gjeorgjianët, së pari, para se ta zgjerojë marinën e vet në Mesdhe, në Baltik dhe në Atlantikun Verior. Administrata Obama po ashtu e mban pullën "e ripërtëritjes" me Kremlinin, duke shpresuar se Moska, përfundimisht do ta ndihmojë Uashingtonin për ndaljen e programit atomik iranian dhe kompletimin e negociatave për reduktimin e armatimit strategjik. Ende, kërcënimi i sigurisë nga "Mistral-i" është i rëndësishëm. Kjo mund të ndryshojë në të ardhmen, por aktualisht shitja e këtyre luftanijeve, dërgon sinjal të gabueshëm tek anëtarët e NATO-s, tek aspirantët dhe, po ashtu, edhe te vetë rusët. Në kohën kur Moska ende e sheh NATO-n si një armik, kur tërhiqet nga Marrëveshja për armatimin konvencional në Evropë dhe okupon 20 për qind të territorit të Gjeorgjisë, shitja madhore e armatimit në Rusi është e parakohshme.