Tiranë, 16 shkurt, NOA - Presidenti Bamir Topi priti sot në një takim kryeministrin e Belgjikës, Iv Leterme, i cili ndodhet në vendin tonë së bashku me delegacionin që e shoqëron, në kuadër të një vizite zyrtare në rajonin e Ballkanit. Bëhet me dijeni se në fillim të takimit, presidenti Topi edhe në emër të popullit shqiptar, i shprehu zotit Leterme ngushëllimet më të sinqerta për tragjedinë hekurudhore të një dite më parë pranë Brukselit, ku nga përplasja e dy trenave, humbën jetën 18 pasagjerë.
Ai e vlerësoi vizitën e kryeministrit belg si një tjetër tregues i marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe mes vendeve dhe popujve tanë, po ashtu dhe të interesit të ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në aspekte të ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe tregtar, ku mirëpritet rritja e numrit të investitorëve belgë, në arsim, kulturë, turizëm, etj. Gjatë bisedës, ndër të tjera, kryetari i shtetit e njohu kryeministrin belg me disa prej arritjeve më të rëndësishme të vendit tonë në realizimin e reformave integruese në Bashkimin Evropian.
Më tej, presidenti Topi vuri në dukje angazhimin serioz të Shqipërisë në NATO, si dhe bashkëpunimin me BE-në, sidomos sa u përket hapave të ndërmarrë për liberalizimin e vizave.
"Trojka presidenciale e BE-së: Spanjë, Belgjikë dhe Hungari është e një rëndësie të veçantë për ne, pasi përkon me dy momente shumë të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit evropian. Në mënyrë të veçantë gjatë Presidencës belge pritet hartimi i Opinionit të Komisionit Evropian dhe vendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe përmbyllja me sukses e procesit të liberalizimit të vizave", - theksoi Topi.
Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme të Belgjikës për vendin tonë rrugëtimin e tij euroatlantik. Nga ana e tij, kryeministri belg e përgëzoi presidentin Topi për rolin e ndërmjetuesit dhe përpjekjet e tij konstruktive në dialogun mes pozitës dhe opozitës duke shpresuar për gjetjen e një zgjidhje sa më shpejtë e të suksesshme. Por Leterme shprehu edhe gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur Shqipërinë dhe poullin shqiptar në realizmin e aspiratave integruese në Bashkimin Evropian, mbështetje, "e cila do të rritet edhe më shumë sidomos pas 1 korrikut 2010 kur Belgjika të marrë Presidencën e radhës së BE-së".
n.e/NOA