Tiranë, 16 shkurt, NOA - Klinika e sëmundjeve profesionale e cila u mbyll në vitin 2005 me një urdhër të drejtorisë së qendrës spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë, nuk do të rihapet. Nëndrejtori i QSUT, Mehmet Hoxha ka deklaruar se në strukturën e re të spitalit të ri që pritet të hapet në muajin mars, nuk është planifikuar hapja e klinikës.
Kjo deklaratë heq shpresat e sindikalistëve të cilët shprehën një ditë më parë shqetësimin e tyre për mungesën e trajtimit mjekësor të punonjësve që punojnë në profesione të vështira.
"Nuk kemi asnjë vendim paraprakisht për rihapjen e klinikës. Mendojmë se hospitalizimi nuk është e vetmja zgjidhje për trajtimin mjekësor të pacientëve që preken nga sëmundjet profesionale. Ne kemi menduar që trajtimi i tyre të kryhet në pavionet specifike si mjekësia interne, pavioni i Pneumologjisë të cilat i kanë të gjitha kushtet për trajtimin e kësaj kategorie pacientësh", u shpreh nëndrejtori i QSUT-së.. Hoxha ka garantuar sindikatën se nuk do të mungojë kujdesi shëndetësor ndaj punonjësve të rrezikuar nga sëmundjet profesionale.
"Nga çfarë kemi dëgjuar prej sindikatës, dimë se ata nuk kërkojnë hapjen e shërbimit me shtretër por trajtimin mjekësor të punonjësve, dhe ne i garantojmë se do të fuqizojmë shërbimin e konsultës, laboratoret për kryerjen e analizave si dhe do të monitorojmë pacientët që vuajnë prej vitesh nga sëmundjet profesionale", shprehen drejtuesit e QSUT-së.
Hoxha thekson se profilizimi i mjekut të familjes si mjek intern i cili gjatë katër viteve të studimit në fakultet merr njohuri të përgjithshme, është një garanci për evidentimin e pacientëve me sëmundje profesionale.
Sipas të dhënave të specialistëve numri i punonjësve që rrezikohen nga sëmundjet profesionale ka ardhur në rënie pas viteve 90.
b.a/NOA