English

Shkupi, festë për 2-vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës

Shkup, 16 shkurt, NOA - Në Maqedoni, lëvizja "Zgjohu!" me rastin e dy vjetorit të pavarësisë edhe këtë vit do të organizojë një akademi solemne të titulluar, "Dita e Plisit", ndërkaq për këtë festë nën patronazhin e komunës së Çairit do të organizohet një koncert i madh në sheshin "Skënderbeu" në Shkup. "Me rastin e dy vjetorit të pavarësisë së Kosovës, do të organizojmë një akademi solemne që quhet Dita e Plisit në Teatrin Shqiptarë në Shkup, ku do të ketë një program të jashtëzakonshëm nga artistë dhe fytyra të njohura shqiptare. Si mysafir nderi në këtë manifestim do të jetë ish- komandanti i UÇK-së dhe përfaqësuesi i qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj", ka theksuar Artan Grubi, duke shtuar se janë të ftuar partitë politike, kori diplomatik dhe mediat.

Organizata "Ilirycum Libertas" ka theksuar se në bashkëpunim me një numër të artistëve shqiptar për nder të kësaj feste do të organizojë një ekspozitë me fotografi.

"Me rastin e ditës së pavarësisë së Kosovës 17 shkurt , në bashkëpunim me një numër të artistëve shqiptar, posaçërisht fotografëve shqiptarë, do ta organizojmë një ekspozitë me fotografi, që në një mënyre ose me tjetrën simbolizojnë një datë të rëndësishme të historisë më të re të kombit", ka theksuar kryetari i "Illyricum Libertas", Valon Kurtishi. Ndërkohë, edhe në Prishtinë dhe Tiranë do të organizohen koncerte dhe manifestime grandioze lidhur me shënimin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në Prishtinë dhe komunat e tjera janë përgatitur manifestime të ndryshme për shënimin e kësaj date, duke nisur nga programet për fëmijë, ndeshjet sportive si dhe ngjarje të tjera festive. Në orët e mbrëmjes në Prishtinë fillon programi qendror në bashkëpunim me RTK në, ku para hotelit "Iliria", do të defilojnë solistë dhe grupe të ndryshme të muzikës popullore dhe argëtuese. Në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë do të mbahet një koncert me këngë dhe valle popullore me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pasditen e 17 shkurtit, një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat shqiptare, do të interpretohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve Popullore të Shqipërisë dhe nga artistët e ansamblit "Shota" të Prishtinës.

NOA-INA

KOMENTE