Prishtinë,16 shkurt, NOA / Hajdin Islami - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në festimin e ditëlindjes së fëmijëve që kanë lindur më 17 shkurt 2008, pikërisht në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në ambientet e Grand Store-s në Prishtinë, kryeministri Thaçi ka takuar shtatë fëmijë dhe prindërit e tyre në dy-vjetorin e lindjes, i ka uruar ata të gëzojnë shëndet të mirë dhe të rriten të lumtur në shtetin e Kosovës.
Në fjalën e rastit, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se është kënaqësi e madhe të takohesh sot me fëmijët, që e kanë ditëlindjen në Ditën e Pavarësisë.
"Urime ditëlindjes së gjithë këtyre fëmijëve, urime ditëlindjes për Kosovën, urime ditëlindjes për shtetin tonë, për të ardhmen tonë në NATO dhe Bashkim Evropian, urime për sukseset e mëdha që kemi arritur", tha kryeministri Thaçi.
Më tej, ai ka pohuar se secili qytetar i Kosovës, secila familje kosovare duhet ta festojë me krenari të madhe këtë ditë historike për vendin, këtë ditë të gëzimit, ditë të krenarisë, vlerave, të respektimit të së kaluarës, të zotimeve për punën e sotme, por para së gjithash edhe për vizionin për të ardhmen.
"Secili nga ne duhet të kujtojë të kaluarën tonë të lavdishme, sakrificat e mëdha që kemi bërë për të arritur në këtë ditë, por edhe zotimin tonë për të ardhmen, për një shtet më të zhvilluar, shtet demokratik, shtet të perspektivës evropiane, shtet të zhvillimit, të mirëqenies sociale", tha kryeministri Hashim Thaçi në ceremoninë e festimit të ditëlindjes së fëmijëve që kanë lindur me 17 shkurt 2008, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi shtatë fëmijëve me rastin e dyvjetorit të lindjes, u shpërndau edhe dhurata.