INTERVISTA/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi thotë se dy vjet pasi Kosova e shpalli pavarësinë dhe fitoi statusin e vendit të pavarur, sovran dhe demokratik, "sot lirisht mund të them se Kosova ka përfituar me perspektivën evropiane". Z.Thaçi, në një intervistë që dha dje për radion Evropa e Lirë.
Zoti kryeministër, dy vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, si do ta vlerësonit këtë periudhë, po t'i bënit një bilanc?
Dua të theksoj se kjo periudhë ka qenë periudha e vendimeve historike për vendin tonë, e shpalljes së pavarësisë, e konsolidimit të shtetit tonë, e vënies së ligjshmërisë, e angazhimeve të gjithanshme në kuptimin edhe të reformave, qoftë në politikë qoftë në ekonomi, qoftë në legjislacion, si dhe periudhë e perspektivës evropiane. Kosova ka përfituar 65 njohje të fuqishme ndërkombëtare. Është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Gjithashtu, jemi në prag të anëtarësimit edhe në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian. Pra, Kosova është duke ecur në trendet e sigurta të angazhimeve integruese, edhe në NATO, edhe në Bashkim Evropian. Derisa para dy vitesh Kosova e shpalli pavarësinë, e fitoi statusin e vendit të pavarur, sovran dhe demokratik, sot lirisht mund të them se Kosova ka përfituar me perspektivën evropiane, që i është dorëzuar nga Komisioni Evropian; e ka fituar statusin e vendit evropian.
Përmendët 65 vendet që e kanë njohur Kosovën. Disa thonë se ky numër përfaqëson peshën, pra kualitetin. Por, ka të tjerë që thonë se kjo dinamikë nuk është e mjaftueshme. Ju çfarë mendoni?
Nuk duhet shikuar në numra njohjet e pavarësisë së Kosovës, duhet shikuar edhe kush e ka njohur pavarësinë e Kosovës - e kanë njohur vendet më të fuqishme, megjithëse duhet të kemi respekt për secilin vend. Pra, pesha e njohjeve është shumë e fuqishme, ajo e ka fuqizuar shtetin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, duhet të potencoj se njohjet i kanë pasur edhe vështirësitë e veta, në veçanti apelin e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Prandaj, dua të besoj se edhe para opinionit të shprehur nga Gjykata Ndërkombëtare, do të kemi njohje të reja, por do të vazhdojnë njohjet e tjera edhe pas opinionit, që nuk do të jetë obligativ i Gjykatës Ndërkombëtare. Dhe, ky opinion ne duam të besojmë pa pretendime politike, se nuk do të jetë krejt bardh e zi, por do të jetë në përputhshmëri me realitetin në Kosovë.
Prisni ndonjë mendim të prerë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë?
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk jep ndonjë vendim të prerë. Ajo shpreh opinionin për çështjen e caktuar, një opinion ky jo obligativ.
Integrimi i veriut të vendit vazhdon të jetë një sfidë jo e lehtë. Së fundi, është diskutuar shumë për një strategji integruese. Cilët janë mekanizmat që do t'i shfrytëzoni për jetësimin e saj?
Më në fund, pas dhjetë vitesh, institucionet e vendit tonë, pra Qeveria e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, kanë hartuar një plan gjithëpërfshirës për veriun e Mitrovicës, plan ky që parasheh katër pika; e para, sundimi i ligjit, e dyta është formimi i komunës së re në veri të Mitrovicës, pastaj organizimi i zgjedhjeve të lira në tri komuna, Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok, po në të njëjtën kohë edhe angazhimi socio-ekonomik, pra angazhimi për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale dhe në këtë drejtim Qeveria e Kosovës do të ndajë edhe një fond të veçantë. Dua të besoj se ky angazhim do të jetë shumë i vendosur, me gjithë pengesat, me të cilat mund të ballafaqohemi në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të vënies së ligjshmërisë, normalitetit, stabilitetit dhe pretendimeve për zhvillim ekonomik. Pra, do t'i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmin tonë ligjor dhe demokratik.
Ka ndonjë afat kohor për jetësimin e kësaj strategjie?
Gjërat aty kanë qenë të ngatërruara tash e dhjetë vite, por afati është që të fillohet shumë shpejt.
Vitin që lamë pas, Serbia,Mali i Zi dhe Maqedonia u shpërblyen me liberalizim vizash, ndërsa Kosova ka mbetur, thënë kushtimisht, në listën e pritjes. Pse mendoni se ndodhi kështu?
Duhet kuptuar se edhe Maqedonia tash e 18 vite merret me tranzicionin demokratik, ndërsa ne, tash e dy vite e kemi shpallur pavarësinë. Mali i Zi, gjithashtu, merret me tranzicionin demokratik që nga rënia e komunizmit. Por, edhe Serbia me këto angazhime, të cilat është duke i bërë në kuptimin e një veprimi afirmativ, për ta afruar Serbinë drejt Bashkimit Evropian, Brukseli ka lëvizur në qasjen ofruese dhe jo refuzuese. Prandaj, këto dy vite për shtetin e Kosovës kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse ne kemi fituar nga raporti i progresit perspektivën evropiane, një perspektivë kjo që disa vende të rajonit nuk e kanë fituar për 15 vite me radhë. Pra, perspektiva e Kosovës është perspektivë evropiane dhe sa më tepër që të jenë vendet e rajonit në strukturat euroatlantike, aq më shpejt edhe Kosova do të jetë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Duhet kuptuar gjithë një gjë: Kosova është vendi i fundit në rajon që e ka fituar lirinë; Kosova është vendi i fundit në rajon që e ka fituar dhe shpallur pavarësinë; Kosova është në proces shtet-ndërtimi, prandaj angazhimet 18- vjeçare të disa vendeve të rajonit në tranzicion, nuk mund të krahasohen me dy vite të shtetit tonë, që, gjithashtu, jemi duke e kaluar procesin e tranzicionit dhe të reformave demokratike. Por, një gjë është e sigurt, Kosova shumë shpejt dhe nuk do të jetë e fundit që do të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, Kosova është histori e suksesit të plotë.
Si të tillë, e shihni Kosovën afër apo larg integrimeve evropiane dhe euroatlantike në përgjithësi?
Kosova kurrë ndonjëherë nuk ka qenë më afër integrimit në NATO dhe në Bashkim Evropian. Ky është angazhim, ky është vizioni dhe ky është qëllimi, i cili do të realizohet shpejt. Pra, Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.
Në planin e brendshëm, ka disa muaj që koalicioni qeverisës midis partisë tuaj dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shndërruar në temë debatesh, madje edhe ndërmjet përfaqësuesve të partive të partnerëve të koalicionit. Ju vetë keni paralajmëruar riformatizimin e përbërjes së Qeverisë. Kur do ta bëni këtë?
Dua të theksoj se riformatizimi ka filluar nga dorëheqja ime si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe do të vazhdojë me hapa gradualë, të kujdesshëm, të matur dhe efektivë. Ky riformatizim, apo rifreskim, ndodh, mund të them, me integrimin e njerëzve nga kategori të caktuar të shoqërisë çdo ditë në institucionet dhe Qeverinë e Kosovës. Ndërsa, angazhime konkrete pres në javët e ardhshme. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me partnerin e koalicionit, mund të ketë zëra të ndryshëm jo-ndikues në këtë çështje. Prandaj, koalicioni ka efektivitet në punë, ka angazhime të përbashkëta shtet-ndërtuese, por edhe të përgjegjësive pushtetare. Është e vërtetë që ky koalicion është bërë për interesa të shtetit, po edhe për ndarjen e përgjegjësive të pushtetit. Është një bashkëpunim i mirë, efektiv i suksesit të koalicionit, të shtetit tonë. Ndërsa, duhet kuptuar dhe ndarë fushatat elektorale në nivel lokal nga funksionimi efektiv i institucioneve në nivel qendror. Pra, institucionet kanë mandat të plotë, zgjedhjet do të organizohen në vitin e ardhshëm në kohë të rregullt, në afatin e rregullt kushtetues.
FUND