Durrës, 16 shkurt, NOA - Ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, polici rrugor i Durrësit Kastriot Aliaj, i cili u përplas para pak ditësh nga një fuoristradë, ndërsa kryente shërbimin në rrugë.
Lajmi është komunikuar nga forcat e policisë së Durrësit, sipas të cilave Aliaj u plagos në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, në vendin e quajtur "Koxhas", në kohën kur ishte në shërbim patrulle policie së bashku me kolegun e tij Q.B., nga automjeti fuoristradë me targa TR 2609 S, i cili drejtohej nga 36-vjeçari Afrim Byberi, i dënuar më parë për vrasje nga pakujdesia.
Mësohet se gjendja e tij shëndetësore ishte tepër e rëndë dhe me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë, ai nuk mundi të mbijetonte.
Nga kryerja e hetimeve të para, rezultoi se në momentin e aksidentit ky punonjës policie ishte duke kontrolluar dokumentacionin e një automjeti në bankinën e krahut të djathtë të rrugës.
Nga ana e policisë u bë arrestimi në flagrancë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim të mjetit në gjendje të dehur i Afrim Byberit.
Varrimi i policit të rënë në detyrrë do të shoqërohet me homazhe për nder të tij tek Pallati i Kulturës në Durrës, të cilat do të jenë të hapura edhe për publikun.
n.e/NOA