Tiranë, 17 shkurt, NOA - "Kam kënaqësinë t'ju informoj se tre projektet e akseve të mëdha rrugore të cilat do të bëjnë të mundur që shqiptarët nga Saranda, Konsipoli, Gjirokastra, Peshkopia dhe Bulqiza, të vijnë në Tiranë për një kohë prej 50-70 përqind më të shkurtër përfundoi".
Me një deklaratë të tillë, kryeministri Berisha hapi mbledhjen e sotme të qeverisë duke folur mbi projektet më të mëdha të infrastrukturës rrugore në vend.
Më tej, ai theksoi se ka përfunduar edhe projekti me dy tunele i autostradës Tiranë-Elbasan e cila bën që kjo distancë të përshkohet në 20-25 minuta.Sipas tij, projekti i kësaj autostrade është bërë nga një kompani serioze italiane dhe pritet që brenda vitit të fillojë nga puna.
"Qytetarët e Elbasanit prej dekadash ëndërrojnë që me një tunel të lidhen me Tiranën, ndërsa ata të Peshkopisë, të lidhen me autostradë me Tiranën. Ajo afron Shkupin me Tiranën me 103 kilometra", tha më tej në fjalën e tij kryeministri Berisha.
Duke shtuar se në fazën përfundimtare është edhe projekti Tiranë-Klos, i rrugës së Arbrit.
"Brenda këtij viti pritet të nisë puna në tre akse rrugore të rëndësishme, të cilat shndërrojnë ëndrrat e qytetarëve shqiptarë në realitet", shtoi kreu i qeverisë.
Sipas tij, ky vit është viti i datave të mëdha në projektet më ambicioze për infrastrukturën moderne të Shqipërisë në rajon.
"Kemi përzgjedhur trajektoret më të shkurtra si alternativën më të shkëlqyer. Koha kushton më shumë se çdo gjë tjetër, me këto rrugë të reja qytetarët shqiptarët do të kursejnë nga buxheti i tyre në tërësi qindra milionë euro", përfundoi ai lidhur me këtë çështje gjatë fjalës që mbajti në mbledhjen e qeverisë.
n.e/NOA