English

Berisha pret ministrin e Ekonomisë, të Malit të Zi, Branko Vujoviç

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Kryeministri Berisha ka pritur sot në një takim ministrin malazez të Ekonomisë, Branko Vujoviç. Bëhet me dijeni se në takimin e përbashkët, ata shprehën të njëjtin vlerësim se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve duhet të shoqërohen me avancimin e gjithanshëm të bashkëpunimit ekonomik, pasi mundësitë për këtë janë shumë të mëdha. Nga ana e tij, ministri Vujoviç vlerësoi dhe përkrahu projektet me rëndësi që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, duke shprehur interesin e qeverisë së Malit të Zi për një bashkëpunim më të madh me qeverinë shqiptare, veçanërisht në fushën infrastrukturore dhe atë energjetike.

Në këtë drejtim, kryeministri Berisha dhe ministri Vujoviç u angazhuan për përpjekje edhe më të mëdha për të krijuar hapësira të reja bashkëpunimi me ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta, si autostrada Shkodër-Podgoricë dhe Shëngjin-Ulqin, me leverdishmëri jo vetëm ekonomike, por edhe turistike.

Një nismë tjetër që do të ndërmerret nga të dyja vendet për të rritur mundësitë turistike të tyre është thellimi i lumit Buna, për ta shndërruar atë në një lumë të lundrueshëm dhe të përdorur nga turistët.

Gjithashtu, ata konstatuan me kënaqësi se po përfundon linja e interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë, si dhe do të kërkohet bashkëpunimi për një tjetër projekt të rëndësishëm, atë të hekurudhës midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, me kontroll të përbashkët. Dy vendet do të diskutojnë edhe për një marrëveshje të re për ujërat.

Një tjetër fushë bashkëpunimi e evidentuar në takim ishte ajo mes akademikëve të të dy vendeve për biodiversitetin e lumit Buna.

Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Berisha tha se ndjek me kënaqësi zhvillimet pozitive të Malit të Zi, pasi ai është një vend i rëndësishëm në Ballkan.

Ai i shprehu ministrit Vujoviç mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu, kënaqësinë për arritjet politike dhe arsimore të shqiptarëve në Malin e Zi.

n.e/NOA

KOMENTE