Tiranë, 17 shkurt, NOA - Prej disa ditësh, çmimet e larta të fruta perimeve në kryeqytet kanë shqetësuar tregtarët e konsumatorët. Ndërsa njëra palë ankohet për rënie të xhiros ditore, ata që preken direkt nga çmimet, qytetarët, theksojnë se kjo rritje nuk po ndalet që pas festave të fundvitit.
"Është e pamundur të blesh të gjitha produktet e nevojshme. Ne që jemi pensionistë e ndjejmë shumë rritjen e çmimeve", thotë një blerëse në tregun e lirë të fruta-perimeve pranë Pazarit të Ri në kryeqytet.
Ndërsa tregtarët fajësojnë shtrenjtimin e euros e cila ka rritur pagesat në dogana të mallrave që hyjnë nga importi.
"Rritjen e ndjejmë që në dogana, transporti, e deri tek mbërritja në destinacion, të gjitha janë kosto që na kanë prekur direkt në shpenzimet tona. Sa për xhiron mund t'ju them se është shumë herë më e vogël sa ishte vjet në këtë periudhë", thotë një tregtar
Kryetari i shoqatës për mbrojtjen e konsumatorit, Islam Cani thotë se rritja e çmimeve ka prekur dhe produktet e shportës. Ndërkohë që në krahasim me kryeqytetin, rrethet raportojnë rritje të çmimit dhe për bukën.
"Ne besojmë se rritja e çmimeve ka përfshirë gjithë produktet dhe kjo rritje varion 20-40 lekë për kg. Madje disa rrethe si Fieri, Vlora e Elbasani raportojnë rritje të çmimit të bukës me 100 lekë. Në Tiranë kjo rritje është më e ekuilibruar por dhe këtu shoqatat e bukëpjekësve kanë paralajmëruar rritje të çmimit të bukës", thotë Cani.
Sipas shoqatës, çmimet e larta kanë prekur sidomos shtresat e varfra, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët kanë të ardhura të pakta për të përballuar blerjen e ushqimeve të përditshme.
b.a/NOA