Prishtinë, 17 shkurt, NOA - Kosova feston sot dy-vjetorin e pavarësisë së saj, e cila u ligjërua përkatësisht më 17 shkurt 2008.
Me rastin e këtij përvjetori historik për shtetin më të ri të Evropës, janë parashikuar manifestime dhe aktivitete të shumta, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni dhe Shqipëri.
Kështu, bëhet me dijeni se Kuvendi i Kosovës në orën 11:00, do të mbajë sot një seancë solemne, ku kryeparlametari Jakup Krasniqi, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi do të përshëndesin deputetët dhe të ftuarit, duke përshëndetur në këtë mënyrë gjithë Kosovën.
Po ashtu, edhe Komuna e Prishtinës me rastin e dy-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka përgatitur një varg aktivitetesh.
Ndërkaq, në orën 13:30 në Bulevardin "Nëna Terezë" do të mbahet një program artistik për fëmijë, ku do të marrin pjesë grupet artistike të fëmijëve dhe të rinjve të qytetit.
Kurse në orën 14:00 në stadiumin e qytetit, do të luhet ndeshja miqësore e futbollit Kosovë - Shqipëri.
Programe të ngjashme kulturore, artistike e sportive janë parashikuar të mbahen edhe në qytete të tjera të Kosovës.
n.e/NOA