Tiranë, 17 shkurt, NOA - Në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, drejtuar nga kryeministri Berisha u rishqyrtuan tavanet buxhetore për periudhën e viteve 2011-2013. Berisha u shpreh nga ana e tij se duhet të adoptojmë një politikë agresive në uljen e borxhit publik të vendit, e cila sipas tij sjell inkurajim më të madh të investitorëve të huaj dhe përmirësim të sigurt të rating-ut. "Ministria e Financave, me mbështetjen dhe miratimin tim të plotë, kërkon që këtë vit të likuidojë kredinë që ne morëm vitin e kaluar. Ajo kredi u mor në kushte të një krize botërore dhe vetëkuptohet, në kushte dhe interesa rënduese.
Por këtë vit parashikimi është shumë më pozitiv dhe interesi i bankave më serioze të Evropës për eurobond-et e Shqipërisë, që emetohen për herë të parë në historinë e vendit, është i lartë, por duhet të jemi realist se pjesa dërrmuese e këtyre fondeve do të përdoret për të likuiduar përfundimisht kredinë që morëm vitin e kaluar, në mënyrë që interesat e saj të mos rëndojnë në borxhin dhe financat shqiptare", mësohet të jetë shprehur Berisha.
Sipas tij, vendimi për likuidimin e kësaj kredie dhe nga ana tjetër, adaptimi i një politike më agresive në zvogëlimin e defiçitit buxhetor dhe zvogëlimin progresiv të borxhit publik të vendit kërkon një përqasje të re ndaj të gjitha parashikimeve të bëra.
Duke shtuar në fund, se edhe shpenzimet do të rudhen sepse ne na duhet të adoptojmë një politike agresive në uljen e borxhit publik të vendit.
"Ndaj, do të ketë shkurtim të shpenzimeve, por pa prekur fushat prioritare që vijojnë: Së pari, rrogat dhe pensionet. Unë jam njohur me materialin e sjellë nga ministria e Financave dhe ajo politikë është e paprekshme", përfundoi Berisha.
n.e/NOA