English

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve: Rasti "Baze" tregon lirinë e cunguar të mediave

Uashington, 17 shkurt, NOA - Rasti i dhunimit të gazetarit shqiptar Mero Baze në një nga lokalet e Tiranës, shoqëruar me faktin e largimit të gazetës së tij nga një ndërtesë shtetërore, paraqitet si një rast i shkeljes së të drejtave të medias në raportin e fundit për sulmet kundër gazetarëve gjatë vitit 2009 për vende të ndryshme të botës.

I botuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë e pavarur jofitimprurëse që mbështet lirinë e shtypit në botë, ky dokument merr në konsideratë të ashtuquajturat raste të dhunimit të gazetarit dhe lirisë së mediave në tërësi si koncept.

Ndërkaq, për Kosovën, raporti vë në dukje kërcënimet me vdekje të bëra ndaj gazetares Jeta Xharra, shefe e BIRN-it në Kosovë dhe mesazheve për dhunë ndaj ekipit të saj të punës në programin Jeta në Kosovë në RTK. Ka qenë pikërisht Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, i cili në lidhje me rastin në fjalë, i shkroi një letër proteste kryeministrit Hashim Thaçi duke i bërë thirrje qeverisë të hetonte kërcënimet dhe të mbronte gazetarët e BIRN-it në Kosovë.

Ky raport pason atë të publikuar nga organizata tjetër e njohur botërore "Gazetarët pa kufij", i cili merr në konsideratë treguesin e lirisë së mediave në mbarë botën, ku për Shqipërinë thuhej se lë ende për të dëshiruar lidhur me një tregues të tillë.

n.e/NOA

KOMENTE