English

Kriza ekonomike, pritet fluks të papunësh në vend

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Shërbimi Kombëtar i Punësimit paralajmëron një rritje të numrit të të papunëve në vendin tonë në këtë periudhë, si pasojë e prekjes së biznesit nga kriza ekonomike. Drejtori i këtij institucioni, Thoma Miço, në analizën vjetore deklaroi se fluksit të të papunëve po i shtohen dhe emigrantët e kthyer nga shtetet fqinje, Italia e Greqia.

"Presim një rritje të numrit të të papunëve në vend dhe këtu përfshihen dhe emigrantët e kthyer. Mund të themi se në sportelet e zyrave tona rajonale të punësimit janë regjistruar 90 emigrantë në rrethet Tiranë, Korçë dhe Shkodër. Këta janë kryesisht punëtorë ose pa profesion. Këta kthehen nga emigrimi në Itali e Greqi. Mendojmë se numri i tyre është më i madh por ato nuk paraqiten në zyrën e Punësimit", tha Miço.

Gjatë analizës u theksua se problem për punësimin mbetet mosha e madhe e punëkërkuesve të papunë dhe mungesa e arsimimit të tyre.

Sipas të dhënave të zyrave rajonale të punësimit, rreth 31 për qind e tyre janë mbi 45 vjeç dhe niveli arsimor I ulët mbi 53 për qind raportojnë se kanë vetëm arsimin 8 vjeçar.

Aktualisht numri i punëkërkuesve në Shqipëri është 10047 persona të cilët përfituan gjatë vitit 2009 pagesën e papunësisë. Por ky numër po vjen gjithnjë e në rritje e për këtë arsye, një nga prioriteet e 2010 është punësimi i 11500 personave. Sipas të dhënave të ministrisë së punës, në Shqipëri numërohen mbi 140 mijë persona të papunë cka ka rritur nivelin e papunësisë në vend në 13 për qind.

b.a/NOA

KOMENTE