English

Në mars nis ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës, një prej projekteve më të mëdha energjetike të viteve të fundit do të nis në muajin mars. Lajmi i bëhet i ditur nga kompania austriake që ka marrë përsipër realizmin e projektit, "Verbund"

"Verbund, kompania kryesuese e energjisë elektrike në Austri dhe ndër kompanitë më të mira të prodhimit të energjisë elektrike në Evropë do nisë në fillim të marsit 2010 punimet për ndërtimin e hidrocentralit më të madh Matrix në Shqipëri. Projekt kompania "Energji Ashta" ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për fillimin e punimeve", thuhet në njoftimi zyrtar të kompanisë.

Investimi arrin në shumën e 160 milion euro dhe HEC-i i Ashtës do të ketë një kapacitet prodhues që do të furnizojë me energji 100,000 familje shqiptare. Veç kësaj, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se ky ndërtim do të krijojë vende të reja pune dhe të japë një impuls pozitiv zhvillimi për zonën dhe vendin në përgjithësi.

"Kontrata për nisjen e ndërtimit e veprës publike është nënshkruar në dhjetor 2009 në Tiranë me përfaqësuesit e kompanisë Austriake "Porr Technobau und Umwelt AG" e cila do të punojë ngushtë me kompanitë vendase si për shembull "ALBTIEFBAU Shpk" nga Shkodra. Më tej, për projektin e Ashtës kompania Verbund ka marrë përsipër të zbatojë të njëjtat standarde evropiane si në Austri", thuhet në njoftim.

Për 15 vitet e ardhshme energjia e prodhuar në Ashtë, në qarkun e Shkodrës, do të blihet tërësisht nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH). Më pas kontrata mund të zgjatet ose energjia e prodhuar do të shitet lirisht në treg.

xh/NOA

KOMENTE