English

Para të pista për buxhetin e pastër

"Qeveria shqiptare detyrohet të pranojë zyrtarisht dështimin e buxhetit të vitit 2009 dhe planifikimin e gabuar të buxhetit të vitit 2010. Ministri i Financave, Ridvan Bode, pranoi disa ditë më parë, se do të korrigjojë me rreth 300 milionë dollarë uljen e shpenzimeve për vitin 2010, që ende s'ka filluar si vit buxhetor, dhe pranoi një ulje rreth 900 milionë dollarë të të ardhurave nga parashikimi fillestar për vitin 2009. Për t'i shpëtuar efekteve të krizës, Bode i dha dritë jeshile dhe një amnistie për të ardhurat nga burime te padeklaruara me shpresë se paratë e zeza mund të shëndoshin buxhetin e shtetit, një nismë kjo e diskutueshme dhe shumë dyshuese për të ardhurat e vetë njerëzve afër pushtetit"

Mero Baze*

Ministri i Financave, Ridvan Bode, njoftoi brenda një dite edhe dështimin e buxhetit të vitit 2009 edhe fillimin e dështimit të buxhetit të vitit 2010 dhe nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi politike.

Zoti Bode, i cili ka kundërshtuar publikisht gjithë ekspertët e ekonomisë dhe mediet që kanë vënë alarmin për shpenzimet marramendëse të qeverisë dhe buxhetin jorealist, tashmë pranon se buxheti ka falimentuar dhe se buxheti i vitit 2010 është jorealist.

Edhe pse buxheti i shtetit është gjëja më e rëndësishme që lidh opinionin publik me qeverinë, për shkak të mungesës së kulturës ekonomike dhe politike që ka shoqëria shqiptare, ngjarje të tilla të rënda dhe shkatërruese për imazhin e një qeverie, po kalojnë pa përgjegjësi politike.

Në çdo vend normal të botës, një Ministër Finance që do t'i kishte ndodhur një gjëmë e tillë, duke i dështuar dy buxhete radhazi, jo vetëm që do të kishte dhënë dorëheqje, por do të qëndronte larg politikës për nj kohë të gjatë derisa të harrohej.

Zoti Bode edhe pse i ka kthyer në piramida si buxhetin e vitit 2009, dhe buxhetin e vitit 2010, nuk shfaqi asnjë shenjë ndjese dhe përulësie politike, për atë që ka ndodhur. Ky qëndrim na shtyn të mendojmë se jemi para një situate edhe më të rrezikshme nga pikëpamja politike sesa kriza ekonomike.

Mënyra se si Ministri i Financave nuk sillet si financier ndaj krizës, por si njeri me garanci politike që i japin imunitetet atij pavarësisht dështimeve, do të thotë se pushteti ka futur duart në buxhet për llogari politike, dhe mbron me vetëdije këtë plaçkitje të taksave të qytetarëve shqiptarë.

Nëse zoti Bode do të sillej qoftë dhe si ekonomist kooperative, siç dhe e ka nisur karrierën, ai duhet të ndjente përgjegjësinë e dështimit dhe duhet të largohej kokulur nga një punë që e turpëroi si profesionist.

Por ai edhe pse është i detyruar të pranojë dështimin zyrtarisht, shfaqet i sigurt në publik a thua se shqiptarët ia kanë dhënë mandatin të bëjë ç'të dojë me paratë e tyre dhe të mos japë llogari tek askush.

Siguria që zoti Bode rrezaton si ministër i dështuar i qeverisë Berisha, në të vërtetë zbulon faktin që ai nuk është Ministër, por një vegël e komanduar dhe përdorur aty për qëllime politike nga kryeministri.

Një zhdukje e tillë e personalitetit profesional të Ministrit të Financave, është rekord për historinë e qeverive shqiptare, madje dhe kur atë detyrë e kanë bërë fizikanë apo njerëz që nuk vinin nga financat.

Zoti Bode ndjehet i parrezikuar politikisht nga kjo që ka ndodhur, pasi shkatërrimin e buxhetit të vitit 2009 duke i çuar në mbi 800 milionë deficitin për shpenzime elektorale, e ka bërë me vetëdije politike.

Po ashtu ai ndjehet i sigurt kur ul ende pa filluar me rreth 300 milionë shpenzimet për vitin 2010, pasi thjesht nuk mban përgjegjësi për buxhetin fiktiv që ka miratuar në dhjetor.

Në një vend demokratik, pavarësia e institucioneve financiare është vendimtare për të menaxhuar krizat ekonomike dhe për të shpëtuar vendin nga katastrofa të mundshme financiare.

Mungesa e dinjitetit profesional të Ministrit të Financave dhe pëshpëritjet apo të folurat me vete të Guvernatorit të Bankës, dëshmojnë se rreziku më i madh që kemi nga kriza ekonomike, vjen nga mungesa e pavarësisë dhe dinjitetit të institucioneve tona financiare dhe personave që i përfaqësojnë ato.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE