English

Policia: Grabitja e BKT, nga pakujdesia e stafit

Ofrohet shpërblimi prej 10 milionë lekësh duke garantuar ruajtjen e anonimatin, mbi autorët e vjedhjes së filialit të Bankës Kombëtare Tregtare. Nga hetimet e grupit hetimor rezulton se, autorët e kësaj vjedhjeje kanë qenë me maska dhe duke përfituar nga pakujdesia e punonjësit të sigurimit të bankës, i cili në momentin e vjedhjes nuk ka qenë në vendin e planizuar me shërbim

Tiranë, 17 Shkurt NOA - Grabitja me maska sot e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Tiranë ishte rrjedhojë e pakujdesisë së punonjësit të sigurisë në stafin bankar.

Këtë e konfirmoi sot për agjencinë NOA, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, e cila duke marrë shkas nga kjo vjedhje, ka marrë menjëherë një sërë masash organizative në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike si dhe me Punonjësit e Sigurimit të Brendshëm të Bankave të Nivelit të dytë, me qëllim garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit bankar.

Sakaq, policia tha se ofrohet shpërblimi prej 10 milionë lekësh duke garantuar ruajtjen e anonimatin, mbi autorët e vjedhjes së filialit të Bankës Kombëtare Tregtare‏

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 8.40 në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë, ku është vjedhur sasia prej pesë milionë lekë të vjetra te filiali i Bankës Kombëtare Tregtare.

"Nga hetimet paraprake të grupit hetimor rezulton se, autorët e kësaj vjedhjeje kanë qenë me maska dhe duke përfituar nga pakujdesia e punonjësit të sigurimit të bankës, i cili në momentin e vjedhjes nuk ka qenë në vendin e planizuar me shërbim", - i thanë NOA-s, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë.

Lidhur me këtë vjedhje, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë tha se ofron shpërblimin prej 10 milionë lekësh (të vjetra) duke garantuar ruajtjen e anonimatin.

"Ky informacion mund të jepet në numrat zyrtarë të policisë 129 (pa pagesë) dhe 069 41 04 111", - detajoi policia.

e.r/NOA

KOMENTE