Nga bashkëpunëtori i NOA në Athinë - Një raport i plotë nga korrespondenti i NOA në Athinë, Nikos Samaras, ku do të ndiqni detajet për vrasjen e Nikos, 25-vjeçarit nga Shqipëria i cili mbeti viktimë e gafës policore që po ndiqte dy shqiptarë të larguar nga burgu. Ju ftojmë të ndiqni dhe intervistën tronditëse me motrën e 25-vjeçarit
Athinë, 17 Shkurt NOA/ - Viktimë e gafës policore greke mbeti dje një 25-vjeçar nga Shqipëria i cili jetonte familjarisht në vendin fqinjë prej vitesh si emigrant i rregullt. Nikolla Todi, 25 vjeç nga jugu i Shqipërisë, është qytetari që u vra me shtatë plumba policie gjatë një aksioni për kapjen e dy shqiptarëve të dyshuar si të larguar nga vendet e vuajtjes së dënimit.Ngjarja ka provokuar një qëndrim të ashpër të mediave greke ndaj policisë dhe autoriteteve në tërësi.
Korrespondenti i NOA raporton se në të gjitha mediat greke sot vrasja e Todit cilësohej si një gafë e pafalshme e policisë. Për më tepër dhe vetë Presidenti i Republikës së Greqisë i është drejtuar bashkatdhetarëve të Todit duke pohuar se humbja e tij ishte "e padrejtë". Kush janë dy shqiptarët që kërkoheshin, vodhën dhe pistoletën e një polici Pas kontrollit të kryer në mjetin e dy shqiptarëve dhe banesat ku qëndronin përkohësisht, u sekuestruan si prova materiale, dy automatikë të tipit "Kallashnikov" me nga një krehër secili me 30 fishekë dhe me nga një fishek në gojë, dy pistoleta "Zastava CZ 99", një pistoletë USP e cila i ishte vjedhur një polici në Marusi dy ditë më parë më 15 shkurt 2010, dy bomba dore ofensive. Po ashtu, 500 metra larg vendit të ngjarjes u gjet makina "Peugeot" të cilën dy shqiptarët e përdorën për arratinë e tyre pas çarmatosjes së policit në Marusi të cilit i rrëmbyen një pistoletë.Sakaq në një banesë në rrugën "Fleming 86" në Virona të Athinës, policia gjeti edhe katër automatikë të tipit "Kallashnikov" secili me nga një krehër me 30 fishekë, pushkë gjuetie me qytë të prerë, 10 kg lëndë eksplozive TNT, tetë metra fitil eksplozivi, 25 bomba dore, 345 fishekë të tjerë "Kallashnikovi", 5 maska, etj.
Dy të dyshuarit, ishin burgosur përkatësisht në burgun e Larisës dhe Grevenasë, të akuzuar për grabitje.
Njëri prej tyre, ishte larguar më 27 nëntor 2009 nga burgu i Larisas, pasi kishte thyer lejen tetë ditore që i ishte dhënë, ndërkohë që kishte nisur të vuante dënimin me 26 vjet e 10 muaj heqje lirie.
I dyti, ishte dhe pengmarrës i një polici në Thiva më 23 nëntor 2009. ai ishte arratisur nga burgu i Grevenasë duke përdorur një armë që gjeti në banjë ku e kishin vendosur bashkëpunëtorët e tij. Ai përdori armën duke marrë peng policin-gardian dhe më tej u arratis.
I dyshuari ishte arrestuar më 21 nëntor 2007 në Selanik dhe në ngarkim të tij kishte një dosje për 37 grabitje bankash dhe zyrash postare, 14 prej të cilave në Athinë.
Çfarë ndodhi
Pasditen e djeshme në Virona të Athinës, policia ishte në gjurmim të një veture në të cilën kishte marrë informata se lëviznin dy shtetas shqiptarë të cilët ishin dënuar për vepra të ndryshme penale.
Nikolla Todi, ishte baba i një fëmije vetëm shtatëmuajsh. Ai pagoi me jetën e tij, gabimin trashanik të policisë greke e cila e qëlloi në përpjekje për të neutralizuar dy shqiptarë të shumëkërkuar.
Viktima ishte duke kaluar në rrugë në Virona, kur u bë viktimë e tragjedisë. Në atë segment, policia kishte rrethuar të gjithë zonën dhe prej 18 orësh priste që të dilnin dy të dyshuarit që
Policia nuk i kishte marrë mirë masat madje dhe vetë ata u zhytën në një shi plumbash dhe katër bombash që shpërthyen. Rezultati: I riu Nikolla Todi gjeti vdekjen në vend, dy policë u plagosën rëndë dhe një prej të dyshuarve që shihni në foton bardhezi po ashtu u plagos rëndë. Ndërkohë një nëpunëse mbeti peng i keqbërësit tjetër.
Flet motra e Nikos dhe avokati i familjes
Rrënqethëse ishte intervista që dha sot motra e Nikolla Todit që shini në foto, e shokuar nga vrasja e vëllait. Tejet e tronditur, ndonëse pranoi të flasë për televizionin Antenna, vajza 28-vjeçare shqiptare shpërtheu herë pas here në lot dënese.
Ajo rrëfeu sesi pa ditur se i vëllai ishte vrarë në shpërthimin e bombave, shkonte të kërkonte atë në rrugën e Vironas duke menduar se duhet të ishte në punë si hidraulik që Niko ishte dhe pak dyshime kishte se mund të ishte pikërisht ai që ishte vrarë.
"Unë shkova atje nga meraku për atë që kisha parë se ishte bërë rrëmujë në Virona dhe e dija se aty punonte Niko hidraulik dhe u bëra merak se s'po vinte ende", rrëfen motra e Nikos.
Ajo shprehu dhe zemërimin se policia ishte treguar harbute duke mos pranuar të japë asnjë informacion se ç'kishte ngjarë me vëllanë e saj. "Policët e dinin shumë mirë se djali i dergjur përdhe ishte im vëlla, por më lanë të vetme në mes të rrugës që të kërkoj se ku gjendej trupi i tij", rrëfen motra e pikëlluar.
Ndërkohë shokuese ishte dhe deklarata e avokatit të familjes Todi, Mihalis Dhimitrakopulos. Ai tregoi sot publikisht se trupi i Nikollës ishte dëmtuar shumë sepse në kurriz kishte plot shtatë plumba.
Për më tepër, u konfirmua dhe fakti se polici që hapi zjarr ndaj Niko Todit, e kishte konsideruar atë një prej të shumëkërkuarve dhe gjithë dell kishte shoshitur trupin e tij me plumba. Dhe pasi e kishte parë Nikon të shtrirë përdhe, kishte klithur: "E griva".
Sakaq, motra e Niko Todit u shpreh sot e vendosur për të kërkuar drejtësi për vëllanë e saj: "Unë jam e vendosur që të kërkoj drejtësi nga shteti grek. Unë dua të gjej të drejtën e familjes sonë për vdekjen e padrejtë të vëllait tim i cili la jetim një djalë vetëm shtatë muajsh", pohoi motra e të ndjerit.
Presidenti Papulias:
Një telegram ngushëllimi ka dërguar sot presidenti i Greqisë Karolos Papulias. Në telegram thuhet: "Shpreh keqardhjen time të thellë për humbjen e padrejtë të bashkëqytetarit tonë. Familjes së të ndjerit Nikolla Todi dhe të afërmve të tij, u dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe mbështetjen time", përfundon mesazhi i Presidentit Papulias.
FUND
Shënim: Ndalohet riprodhimi i plotë apo i pjesshëm i lajmit dhe fotove nëse nuk citohet burimi NOA.