English

Prifti: Linja Tiranë-Podgoricë, dimensione të reja lirisë së tregut

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Projekti për ndërtimin e linjës së re të transmetimit të energjisë elektrike 400 kilovolt me Shqipërisë dhe Malit të Zi, do të përfundojë brenda këtij viti për të mundësuar transmetim më të lirë të energjisë mes dy vendeve. Një fakt i tillë është bërë me dijeni nga Dritan Prifti, ministri i Ekonomisë gjatë një takimi që ka zhvilluar me homologun e tij malazez Branko Vojoviç. E nisur në fund të 2007, linja e transmetimit 400 kilovolt mes dy kryeqyteteve me një gjatësi 155 kilometra, do të mundësojë shkëmbimet e energjisë me kosto më të lirë.

Gjatë takimit, ministrat diskutuan ndër të tjera edhe çështje që lidhen me bashkëpunimin ekonomik.

Kështu, u tha se dy qeveritë, ajo shqiptare dhe e Malit të Zi do të angazhohen në hartimin e projekteve të përbashkëta ekonomike për të mundësuar më tej sigurimin e fondeve nga donatorët.

Më tej, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologët e tij tha se takimi ishte në kuadër të diskutimit të një sërë projekteve të përbashkëta, ku sipas tij më i rëndësishmi ishte ai i ndërtimit të linjës së re të transmetimit të energjisë elektrike 400 kV Tiranë-Podgoricë, për të cilin, siç u shpreh ai, "të dy palët dhanë garancinë që kjo linjë të përfundojë brenda këtij viti duke mundësuar transmetim më të lirë mes dy vendeve".

Duke u ndalur në projekte të tjera, temë të takimit të dy delegacioneve, siç ishin shkëmbimet tregtare, apo infrastruktura rrugore, ministri Prifti tha se "u diskutua mbi gjetjen e një rrugë për të shtuar shkëmbimet tregtare".

Sipas kreut të METE-s, Dritan Prifti, një tjetër pikë bisedimeve ishin dhe projektet që lidhen me tërësinë ujore të liqenit të Shkodrës, të lumit Drino, Buna apo Moraçës në Mal të Zi. "Një theks i veçantë iu vu projektit për thellimin e lumit Buna për t'a bërë atë të lundrueshëm për të dy vendet tona", deklaroi ministri Prifti.

n.e/NOA

KOMENTE