Durrës, 17 shkurt, NOA - Sot në Pallatin e Kulturës të qytetit të Durrësit organizohen homazhe për nder të policit rrugor, Kastriot Aliaj, i cili humbi jetën të krye të detyrës pak ditë më parë. Lajmi konfirmohet nga burimet policore të qytetit bregdetar, sipas të cilëve këto homazhet do të fillojnë në orën 10:00, ndërsa pritet që në to të marrin pjesë edhe personalitete të ndryshme të vendit. Homazhet janë të hapura edhe për publikun, i cili do të ketë mundësinë t'i thotë "lamtumirë" një polici që ra në shërbim e sipër.
Sipas të dhënave, polici Kastriot Aliaj ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi u përplas para pak ditësh nga një fuoristradë, ndërsa kryente shërbimin në rrugë.
Konkretisht, ai u plagos në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, në vendin e quajtur "Koxhas", në kohën kur ishte në shërbim patrulle policie së bashku me kolegun e tij Q.B., nga automjeti fuoristradë me targa TR 2609 S, i cili drejtohej nga 36-vjeçari Afrim Byberi, i dënuar më parë për vrasje nga pakujdesia.
n.e/NOA