English

Terrorizoi fshatin duke gjuajtur me armë, kapet nga policia

Tepelenë, 17 shkurt, NOA - Forcat e policisë së Tepelenës kanë arrestuar një person për armëmbajtje pa leje, i cili terrorizonte banorët me të shtëna armësh. Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se i ndaluari është 28-vjeçari Florenc Mahmutaj, lindur në Ballaban të Përmetit dhe banues në Gllavë të Tepelenës. Arrestimi i tij u bë pasi në komisariat mbërritën disa telefonata nga banorë të fshatit Gllavë se Mahmutaj po qëllonte me armë zjarrri nga banesa e tij në drejtim të paditur, duke vënë në rrezik jetën e banorëve të kësaj treve.

Menjëherë forcat e policisë kanë bërë vlerësimin maksimal të këtij informacioni dhe janë nisur në drejtim të këtij fshati.

Megjithë kushtet e vështira të motit, ku trashësia e dëborës varionte nga 20-30 centimetra dhe rruga për në komunën Buz është e kalueshme vetëm më zinxhirë, forcat e policisë kanë bërë rrethimin e zonës dhe morën të gjitha masat për të mos lejuar qarkullimin e banorëve të rastit në afërsi të banesës të këtij personi.

Më tej, me veprime të shpejta policore u bë e mundur kapja në flagrancë e Mahmutajt me një armë zjarri tip kallashnikov dhe kur u bë kontrolli i imët i banesës u gjetën një sasi fishekësh luftarak model 56.

Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e para hetimore dhe materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Prodhim dhe mbajtia pa leje e armëve luftarake dhe municioneve ", vepër kjo e parashikuar nga neni 278/2/3 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE