Presidenti i Republikës së Shqipërisë deklaron se nuk shprehet se vendi ynë ka marrëdhënie të ngrohta me Serbinë. Pohimi i Topit u bë në një intervistë që Presidenti, Prof. Dr. Bamir Topi dha sot për Radio Televizionin e Kosovës: "...në asnjë moment... ju nuk keni dëgjuar që "duhet të kemi marrëdhënie të ngrohta"", sqaron z.Topi.
Në këtë pikë, ai ka kërkuar që Serbia duhet të reflektojë në radhë të parë për dëmet që i ka shkaktuar politika paraardhëse e Sllobodan Millosheviçit në rajon. Kurse sugjeron se nuk duhet të ketë një ambiguitet në politikën e saj, "sepse nga njëra anë dëshiron të futet në Bashkimin Europian, ndërsa në tjetrën kundërshton pavarësinë e Kosovës që është vendim i vendeve të Bashkimit Europian".
"Kështu që duhet të zgjidhë këtë kontradiktë dhe besoj se e ardhmja e vendeve të rajonit, është e ardhmja e paqes dhe jo e kthimit në retorikat dhe në situatën e luftërave ndëretnike dhe e politikave të gabuara gjithashtu", - sugjeron kryetari i shtetit shqiptar.
Më poshtë vijon intervista e plotë e zbardhur:
Dyvjetori i Pavarësisë së Kosovës ju keni deklaruar se është ditë historike. Në të vërtetë kjo përbën një histori për të gjithë shqiptarët... Padyshim dhe është një ditë, e cila jo vetëm do të kujtohet gjithmonë çdo datë 17 shkurt, por ka qenë një ditë, pavarësisht nga dita ekzakte si numër, që është pritur si një ditë, e cila dy vite më parë konsiderohej jashtëzakonisht afër duke u nisur nga të gjitha premisat, nga interesi i madh, nga mbështetja e ndërkombëtarëve dhe në radhë të parë nga motivimi i popullit të Kosovës. Ecuria e njohjeve të Kosovës nga shtetet e tjerë, për ju përbën një sukses? Unë besoj që po të bëjmë një analizë racionale, këto dy vite Kosova ka bërë një progres të dukshëm edhe përsa i përket njohjeve të reja. Në rast se do të marrim në konsideratë që Kosova është njohur nga shtetet më të fuqishme dhe më të rëndësishme të botës, tregon që në këtë sens ka pasur shumë kualitet. Dhe, besoj që edhe sasia është e rëndësishme, por kjo mesa shohim do të vijë hap pas hapi. E kam thënë edhe diku tjetër, që kjo nuk ka të bëjë thjesht me pozicionin e shteteve të ndryshme për ta njohur ose jo Kosovën, se sa me konjuktura të momentit që gjithsesi, me kalimin e kohës do të kthehen në konjuktura pozitive për Kosovën. A mendoni se çështja e shqyrtimit të ligjshmërisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e ka bllokuar disi procesin e njohjeve dhe përse mendoni se kjo gjendje u krijua vitin e fundit? Unë nuk besoj që të jetë ky momenti substancial i mungesës ose i pamjaftueshmërisë së njohjeve të reja. Unë besoj që është një moment që duhet marrë në konsideratë përderisa ekzisiton ky institucion. Por, sikurse e kanë thënë të gjithë zërat e rëndësishëm, që nuk do të ketë efekte të karakterit juridik për statusin e Kosovës. Mendoj që statusi i Kosovës, marrja e pavarësisë është një moment i pakthyeshëm në çdo lloj situate. Por, sikurse thashë jo vetëm që ka pasur një konjukturë të caktuar politike në vende të ndryshme, por besoj që ka pasur edhe një diplomaci aktive edhe në të kundërt, pra për ta kundërshtuar. Gjithsesi unë mendoj se diplomacia e Kosovës ndonëse ka qenë në hapat e para institucionalë, ka pasur, ka shënuar progres, sepse autoritetet e Kosovës janë pritur në zyrat më të rëndësishme të globit, janë pritur në Uashington, janë pritur në kancelaritë e Europës, që do të thotë të marrësh kredenciale të forta për vazhdimësinë e këtij shteti të ri, i cili e ka perspektivën në euroatlantizëm. Ju keni kontakte të shpeshta dhe vëllazërore me drejtuesit e shtetit të ri shqiptar, pra Kosovës. A bisedoni me ta edhe për probleme me të cilat ndeshet ky shtet kryesisht në zonat ku jeton popullata serbe përkatësisht në veriun e Mitrovicës? Unë mendoj se ka pasur një mentalitetet modern të autoriteteve shqiptare në administrimin e fateve të Kosovës pasi janë tejkaluar momentet e të kaluarës historike që kishin të bënin me retorikat e konflikteve ndëretnike, dhe është projektuar shteti multietnik që do të thotë që çdo qytetar i Kosovës pavarësisht nga etnia të ketë standarde bashkëkohore të jetesës. Kështu, çdo tentativë e politikave për të bërë pushtet paralal sidomos në veriun e Kosovës dhe mbi të gjitha për të ngjallur edhe njëherë konfliktet e të kaluarës, janë politika që janë të destinuara të dështojnë. Çfarë mendoni për rolin e Shqipërisë në këto zhvillime? Unë besoj që Shqipëria njihet nga faktori ndërkombëtar si një faktor moderues në rajon. Pra roli i Shqipërisë është rritur ndjeshëm vitet e fundit në rajon. Unë edhe në këto çaste që ne po flasim ndodhem në Kroaci pikërisht për të asistuar në inagurimin e presidentit të ri të Kroacisë, i cili sikurse e ka dëshmuar në deklaratat e para kërkon të forcojë lidhjet me Kosovën. Në këtë ceremoni është ftuar edhe presidenti (Fatmir) Sejdiu, kërkon që të vazhdojë rrugën mjaft të frytshme të ish-presidentit Stipe Mesiç, i cili realisht ka qenë një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm konstruktiviteti në lidershipin politik të rajonit. Kështu që Shqipëria përsa i përket Kosovës do të vazhdojë të ruajë një politikë vëllazërore dhe mjaft korrekte përsa i përket respektimit të kontureve. Ju thoni që roli i Shqipërisë ka qenë domethënës në procesin e njohjes së Kosovës si edhe në shtetformim. Mirëpo, duket sikur në këtë proces të njohjes, kemi një ngecje përsa i përket vendeve të Konferencës Islamike. Çfarë mendoni se duhet bëjë më shumë Shqipëria, ndoshta niveli i ambasadorëve mund të jetë më i përshtatshëm? A keni një përshtypje për këtë? Unë besoj që po bëjmë përpjekjet maksimale për të mos e ngadalësuar ritmin, por nga ana tjetër dëshirojmë që edhe diplomacia e institucioneve të reja të Kosovës të vazhdojë me intensitet të lartë aktivitetin e saj. Nuk besoj se ka qenë thjesht pamjaftueshmëri. Besoj se kemi qenë në një linjë konstante kontaktesh me faktorin ndërkombëtar, por vazhdoj ta përsëris që është çështje e konjukturave. Dhe, meqenëse ju përmendët Konferencën Islamike, edhe nga këto vende ka sinjale pozitive që do të ketë njohje të reja në të ardhmen e afërt. Në tërësinë e bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Tiranës, çfarë do të ndreqnit që punët të shkojnë më mirë? Unë besoj që mundësia për t'u lidhur më shpejt me Kosovën edhe nëpërmjet rrugës së re të ndërtuar dhe kontaktet në të gjitha nivelet institucionalë, duke filluar që nga institucionet qendrore, duke filluar nga parlamentet respektive, duke vazhduar me tavolinat e ekspertëve, do të bënin të mundur që e gjithë kjo eksperiencë e grumbulluar nga Shqipëria të mund të transmetohet edhe anasjelltas.
Ju përmendët më herët që Shqipëria ka qenë një faktor i rëndësishëm në Ballkan në tërësi për zhvillimet. Mirëpo, ne kemi një vend si Serbia që ka qenë problematike në rajon, madje duke qenë nismëtare po themi sipas dokumentimeve historike, e katër luftërave në Ballkan. Përse mendoni se Shqipëria duhet të krijojë marrëdhënie të ngrohta në këtë periudhë me këtë shtet dhe aq më tepër kur nuk kemi një kërkesë faljeje publike për krimet e kryera në Ballkan, posaçërisht ndaj shqiptarëve? Së pari, në asnjë moment të intervistës time ju nuk keni dëgjuar që "duhet të kemi marrëdhënie të ngrohta". Kështu që do të korrektoni ndërhyrjen tuaj në këtë intervistë … Padyshim që po e korrektoj fjalën "e ngrohtë", por duke menduar qartësisht "marrëdhëniet". Serbia duhet të reflektojë në radhë të parë për dëmet që i ka shkatuar politika paraardhëse e Sllobodan Millosheviçit në rajon. Së dyti, nuk duhet të ketë një ambiguitet në politikën e saj, sepse nga njera anë dëshiron të futet në Bashkimin Europian, ndërsa në tjetrën kundërshton pavarësinë e Kosovës që është vendim i vendeve të Bashkimit Europian. Kështu që duhet të zgjidhë këtë kontradiktë dhe besoj se e ardhmja e vendeve të rajonit, është e ardhmja e paqes dhe jo e kthimit në retorikat dhe në situatën e luftërave ndërtnike dhe e politikave të gabuara gjithashtu. Megjithatë, po ndërhyj zoti President. Serbia lëshon gjithashtu akuzat ndaj Shqipëria për të ashtuquajturat "krime" të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ato janë natyrisht shprehje, të cilat nuk i beson njeri. I besojnë vetëm ata që i thonë. A keni diçka për të na thënë mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, apo territoret e vjetra të të quajturve katër vilajete të Shqipërisë. Ne kemi një popullatë etnike atje që nuk i gëzon të gjitha të drejtat. Çfarë duhet të bëjë diplomacia jonë që kjo të ndreqet, të kthehet siç duhet? Së pari, dua t'iu them që Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë, kanë ndërtuar marrëdhënie mjaft të mira në vitet e fundit. Marrëdhëniet aktuale janë gjithashtu mjaft të mira dhe si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia janë vende që po projektohen në NATO dhe në Bashkimin Europian, çka do të thotë që pikat e referencës janë të qarta. Midis nesh do të vazhdojnë të zhvillohen këto marrëdhënie përtej dialogut politik, duhet të vazhdojnë të zhvillohen marrëdhënie ekonomike. Dhe, ne për të respektuar pikërisht interesat e popullsisë shqiptare në Maqedoni, i referohemi një dokumenti, i cili është bazal; që është Marrëveshja e Ohrit e vititi 2001, vazhdimisht e kemi kërkuar dhe vazhdojmë ta kërkojmë zbatimin me korrektësi të kësaj marrëveshjeje. Më lejoni të bëj edhe një ndërhyrje tjetër, që Gjykata Kushtetuese e shtetit maqedonas e ka pezulluar përdorimin e simboleve kombëtare që në këtë rast janë shqiptarët grupi etnik më i prekur. Çfarë mendoni se duhet të lëvizë në këtë? Unë mendoj që çdo institucion, qoftë kjo edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, përsa i përket respektimit të të drejtave duhet t'i referohet standardeve të Këshillit të Europës. Sepse, ju e dini që Këshilli i Europës ka, ose më mirë në Strasburg ku është Këshilli i Europës, është gjykata që merret me të drejtat e individit, të drejtat e njeriut. Janë standarde të miratuara si nga parlamenti shqiptar ashtu edhe nga ai maqedonas. Kështu që edhe institucionet përkatëse duhet t'i respektojnë këto të drejta që vijnë nga standardet e ratifikuara në Këshillin e Europës. Në këtë ditë të pavarësisë së Kosovës, padyshim që na lind e drejta për të pyetur edhe për qëndrimin e Shqipërisë për ndihmën e Shqipërisë, për përkujdesjen e Shqipërisë ndaj shqiptarëve të tjerë. Bëj fjalë për ata në Malin e zi, për ata në Greqi, përfshi emigrantët, përfshi Çamërinë. A besoni se politika e Shqipërisë e ka luajtur më së miri rolin e saj për të gjithë shtetasit dhe jo shtetasit? Shiko, së pari nuk mund të themi "më së miri". Pra, duhet t'i largohesh termave të tillë që janë në sensin superlativ. Ne praktikisht kemi bërë mjaft progres edhe në trajtimin e këtyre elementëve, por mbetet ende akoma shumë për të bërë, sepse shqiptarët natyrisht që jetojnë në trojet e tyre ku kanë jetuar në shekuj, por ka edhe mjaft emigrantë të rinj, të cilët padyshim kërkojnë më shumë përkujdesje nga strukturat e shtetit. Ju thatë më herët që procesi i integrimit është i rëndësishëm dhe jetik për rajonin dhe posaçërisht për Kosovën dhe për Shqipërinë si dy shtete të pavarura. Mirëpo, Shqipëria dhe Kosova mbetën jashtë procesit të lehtësimit të regjimit të vizave. Përse ndodhi kjo, keni informacione të sakta që edhe ne të kemi një qartësim përtej çështjes së reformave të nevojshme që duhet të përmbushë secili prej vendeve? Unë besoj se ju si përfaqësues i mediave do të kërkoni shpjegime për të 10-ën apo për të 100-ën herë, këto janë gjëra që janë trajtuar janë shpjeguar dhe nuk besoj që është konteksti i intervistës për ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, ajo që duhet të them është që Shqipëria dhe Kosova janë të trajtuara qartë me një vizion euroatlantik që nënkupton edhe liberalizimin e vizave, relativisht të shpejtë të regjimit të vizave, Shqipëria ndoshta më shpejt, por shumë shpejt edhe Kosova. Padyshim që zhvillimet në Shqipëri kanë ndikim në Kosovë, ka qenë tradicionalisht kështu. A mendoni se zhvillimet e sotme në Shqipëri, përfshi rolin tuaj si ndërmjetësues në bisedimet për të zgjidhur ngërçin politik, kanë një ndikim atje dhe çfarë duhet bërë që kjo të kalojë më shpejt? Situata politike në secilin vend, patjetër që është influente edhe për vendet e tjera. Unë nuk mendoj që situata politike në Shqipëri të jetë kaq problematike sa të vërë në dyshim edhe situatën qoftë në Shqipëri qoftë edhe në rajon. Unë mendoj që është një ngërç politik, i cili jam i bindur që do të tejkalohet shumë shpejt dhe që Shqipëria do të vazhdojë të ruajë pikërisht këtë rol në rajon dhe të shtojë intensitetin e konstruktivitetit të vet në rajon. Besoj se gjithçka është në zgjidhje e sipër dhe le ta konsiderojmë që është një element tranzitor.
FUND