Tiranë, 17 shkurt, NOA - Ministri i Ekonomisë së Malit të Zi, Branko Vujoviç, garantoi qeverinë shqiptare se Shqipëria do të përfitojë nga marrëveshja me qeverinë italiane për vendosjen e kabllit nënujor për përcjelljen e energjisë elektrike. Një fakt të tillë, ai e ka bërë me dijeni gjatë një vizite që ka zhvilluar në vendin tonë, duke theksuar se "jemi në përfundim të linjës së transmetimit Tiranë-Podgoricë e këtë e bën më të rëndësishme edhe marrëveshja e nënshkruar nga qeveritë e Malit të Zi dhe Italisë për kabllin nënujor, ku do të mund të përcillet teprica e energjisë elektrike për 35 vitet e ardhshme", tha ministri Vujoviç.
"Nga ajo që është thënë kur janë në diskutim projektet për burimet e reja energjetike është fakti se Shqipëria kur të ketë tepricë energjie mund ta japë në treg mes këtij kablli dhe përmes transmetuesit", deklaroi kreu i Ekonomisë malazeze, Branko Vujoviç.
Nga ana tjetër, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin reciprok, theksoi se "pas marrëdhënieve të shkëlqyera në nivel shtetëror, ekziston nevoja të përparohet në nivel ekonomik dhe për këtë ekzistojnë parametrat dhe vullneti i mirë i të dy palëve".
Sipas Vujoviç, shkëmbimi i mallrave mund të rritet ashtu si edhe bashkëpunimi në fushën e turizmit, por për këtë vlerëson ai vlerësimi i përbashkët është që në zhvillimin e përbashkët ekonomik dhe turistik është e nevojshme zhvillimi i infrastrukturës rrugore. "Duhet të punojmë shumë nga të dy palët, në të dy pika e kalimit kufitar, të cilat janë faktikisht edhe në procedurë, projekte të cilat do të rrisin nivelin e shkëmbimeve tregtare", deklaroi ai më pas.
n.e/NOA