English

Xhaferraj në Kosovë për festën e 2-vjetorit të Pavarësisë

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Në ditën e festës së Pavarësisë, në Kosovë ka shkuar ekipi shqiptar i Kombëtares për të luajtur një ndeshje miqësore me Kombëtaren e Kosovës, krahas të cilit ka qenë edhe një delegacion i ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kryesuar nga ministri, Ferdinand Xhaferraj. Ekipin e futbollit si dhe Ministrin Xhaferaj e ka pritur presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ndërsa biseda midis tyre e ka tejkaluar protokollin zyrtar.

Të dy bashkëbiseduesit kanë dëshmuar se janë njohës të shkëlqyer të realitetit të të dy shteteve. Presidenti Sejdiu ka folur me pasion veçmas për sportin, për sportistët dhe ka përmendur shumë prej emrave të tyre.

Ai dëshmoi se kishte një informacion të pasur për zhvillimin e sportit në Shqipëri e në Kosovë. Vizioni i tij është një angazhim më i madh për investime në këtë fushë, madje ka përmendur edhe projektin e madh të ndërtimit të një Stadiumi Kombëtar në Prishtinë.

Ndërsa Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ferdinand Xhaferaj, përveçse ka përmendur angazhimin e kësaj ministrie për zhvillimin e mëtejshëm të sporteve, ka theksuar dëshirën e tij e të qeverisë shqiptare për t'i thelluar veprimtaritë e përbashkëta në të gjitha fushat e kulturës shpirtërore e materiale.

Ai i tha presidentit Sejdiu se Shqipëria dhe Kosova, si dhe pjesët e tjera të territoreve shqiptare në rajon, do të bashkërendisin punën e tyre për të përkujtuar këtë vit 100 vjetorin e Lindjes së Nënë Terezës.

Ai e ka informuar kreun e shtetit të Kosovës se qeveria shqiptare e ka shpallur vitin 2010, vitin e Nënë Terezës dhe se me veprimtaritë e përbashkëta kombëtare do të synojnë ngritjen e mëtejshme të imazhit të vendeve tona, duke i përkujtuar dhe njëherë botës së qytetëruar se Nënë Tereza nuk i përket njerëzimit vetëm si model i bamirësisë, por edhe si Nënë e lindur dhe e rritur në një familje shqiptare.

n.e/NOA

KOMENTE