Prishtinë, 18 shkurt, NOA - Aleanca e Atlantikut është e shqetësuar për strukturat paralele në Kosovë, të cilat sipas tij, paraqesin kërcënim për sigurinë në këtë vend. Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni gjatë një vizite në Prishtinë admirali Mark Ficxherald, komandanti i krahut jugor të NATO-s. Sipas tij, KFOR do të reagojë nëse këto struktura kthehen në të dhunshme.
"Çdo strukturë paralele është kërcënim për sigurinë dhe mjedisin e qetë. Së pari, institucionet që nuk janë në përputhje me rezolutën 1244 janë ilegale dhe paraqesin kërcënim për sigurinë. Siç e ka thënë edhe sekretari, ne në NATO jemi të interesuar për çdo gjë që i kontribuon një Kosove demokratike dhe më të bashkuar", ka thënë Ficxherlad, i pyetur nëse NATO-ja do ta mbështesë strategjinë për Veriun. Më tej, ai u shpreh se forcat e KFOR-it janë në Prishtinë për të zbatuar rezolutën 1244- dhe këto gjëra sipas tij, që kërcënojnë sigurinë, janë gjëra, për të cilat Aleanca tregon shqetësim.
Nga ana tjetër, një ditë pas dy-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, komandanti i lartë i NATO-s ka thënë se situata e sigurisë në këtë periudhë ka shënuar përmirësim. "Institucionet e Kosovës arritën një moment historik të mërkurën dhe më duhet të them se në dy vitet e kaluara, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është përmirësuar në mënyrë të dukshme", ka theksuar Ficxherald.
n.e/NOA