English

Berisha: Kuvendi punon dhe 15 vjet pa PS

Kryeministri flet për bojkotin e PS, kërkesën e OSBE për hetim të plotë të zgjedhjeve, liberalizmin e vizave dhe afatin e premtuar dhe nuk mohon që Çiljeta të jetë deputete në mandatin e ardhshëm pasi siç tha, "shqiptarët do ta votojnë". Akuzon Ramën se "nuk di ç'kërkon, i njeh dhe nuk i njeh zgjedhjet"

Tiranë, 19 Shkurt NOA - Kryeministri Sali Berisha shprehu habi me qëndrimet e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama ditët e fundit ku tha se ai i njeh dhe nuk i njeh zgjedhjet duke qenë kështu sipas shefit të qeverisë, në kontradiktë me veten dhe pohoi se Parlamenti funksionon normalisht edhe tani duke shtuar se në këtë mënyrë mund të vijojë edhe për 15 vjet, pa telashe.

"Rama kundër Ramës mund të thuhet në rastin e tij, - tha Berisha, duke shtuar: "Nga një anë thotë se njeh rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk kërkon ndryshimin e tij në tavolinë dhe njëkohësisht nuk hyn në institucione duke vazhduar t'i bojkotojë".

Pohimet e kryeministrit u bënë në një intervistë që ai dha për televizionin Klan në emisionin e Blendi Fevziut "Opinion" i cili përfundoi pak minuta më parë.

Duke u ndalur në argumentin e bojkotit, Berisha tha se mandatet e Partisë Socialiste skadojnë në muajin mars dhe bëri thirrje që t'i jepet fund bojkotit, duke kujtuar faktin se "Parlamenti mund të vazhdojë në këto kushte që është, edhe për 15 vjet të tjera dhe të funksionojë normalisht".

Këtë deklarim Berisha e argumentoi me faktin se mazhoranca aktuale ka të gjitha numrat e nevojshëm për të miratuar ligje, siç përmendi dhe faktin se koalicioni me të majtët e LSI ka sjellë stabilitet votash në Parlament.

Njëkohësisht ai përmendi dhe deklaratat e shumta të personaliteteve ndërkombëtare ku është kërkuar me forcë që opozita të duhet menjëherë në Parlament.

Berisha iu referua dhe deklaratës më të fundit të presidentit të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë Soarez, kur tha se ai kishte kërkuar gjatë ditës së enjte publikisht që PS t'i japë fund bojkotit.

Ndërsa referuar kërkesës së z.Soarez për të pasur një hetim të plotë të zgjedhjeve, z.Berisha pohoi se ishte pro këtij opsioni duke shtuar se sigurisht që hetimi i plotë i zgjedhjeve ashtu siç e kërkon dhe z.Soarez duhet të kryhet brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese të cilat sikundër mazhoranca këmbëngul, përjashtojnë hapjen e kutive dhe rinumërim të votave, kërkesa kyçe këto të hedhura çdo ditë nga PS dhe kreu i saj Edi Rama.

Berisha iu përgjigj pyetjes së drejtuesit të emisionit nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe theksoi se "zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të zhvillohen të dielën e fundit të muajit qershor të vitit 2013".

Në intervistën e tij, Berisha foli dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Atij iu kujtua fakti se kishte premtuar gjatë fushatës elektorale të 2009 se gjatë vitit të parë të mandatit të tij të dytë si kryeministër kjo do të bëhej e mundur.

Berisha sqaroi se "vendimi për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë, është një vendim politik dhe ai është marrë" duke shtuar se kjo do të shpallet brenda muajve të ardhshëm".

Kryeministri mohoi që kriza politike në vend të ketë ulur shanset për liberalizimin e vizave dhe theksoi se as bojkoti i PS nuk do ta pengojë procesin e heqjes së barrierës Shengen për shqiptarët.

Në përfundim të intervistës që zgjati rreth dy orë e gjysmë, Berisha iu përgjigj dhe një pyetje nga publikua lidhur me afrimin e showgirl Çiljeta Xhilaga në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike.

Kryeministri tha se është larg ende fushata elektorale e vitit 2013 për zgjedhjet parlamentare por siguroi se këngëtarja që aktualisht është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, do të merrte vota pasivisht për t'u bërë deputete. "Unë jam i sigurt se shqiptarët atë do ta votojnë", - u shpreh Berisha.

e.r/NOA

KOMENTE