English

Berisha: "OK" komisionit hetimor për zgjedhjet, por jo që të dalë mbi gjykatat

Tiranë, 18 shkurt, NOA - Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Berisha i ka bërë sërish thirrje opozitës që t'i japë fund menjëherë bojkotit dhe të zërë vendet në parlament.

Duke marrë në konsideratë edhe deklaratën e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së, Berisha shtoi se e garanton opozitën për vullnetin e plotë të mazhorancës për të respektuar të drejtën e saj për komisionin hetimor parlamentar mbi zgjedhjet.

Por ka shtuar lidhur me këtë koncepte se çdo gjë mund të hetohet, përveç atyre problemeve të cilat kanë vendosur gjykatat.

"Është në interesin më të mirë të vendit që edhe ky dokument i ri i lëshuar sot nga Soares të jetë një zgjidhje për suksesin e tryezës nga e cila mund të dilet me rezultate të prekshme, të cilat bëjnë të mundur kthimin e opozitës në parlament", e komentoi më tej Berisha deklaratën e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së, Joao Soares.

Sipas tij, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar zgjedhjet, ashtu sikurse zyrtarët e organizmave evropiane. "Sikundër, presidenti Soares mirëpres vullnetin e mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e plotë të zgjedhjeve në respekt të plotë të kushtetutës së vendit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese", theksoi Berisha më tej.

n.e/NOA

KOMENTE