English

Dalai Lama pritet sot në Shtëpinë e Bardhë nga vetë Barak Obama

Uashington, 18 shkurt, NOA - Lideri shpirtëror i tibetianëve që jeton në ekzil, Dalai Lama, sot gjendet për një vizitë në kryeqytetin amerikan, ku do të pritet nga presidenti amerikan, Barak Obama, në Shtëpinë e Bardhë.

Ky takim duket se do të kryhet, megjithë kundërshtimin e vendosur dhe të bërë publik nga ana e palës kineze.

Ndërkaq, me Dalai Lamën do të takohet edhe Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton.

Nga ana e saj, Republika Popullore e Kinës kërcënoi disa herë me pasoja për marrëdhëniet bilaterale në rast se Dalai Lama pritet nga Shtëpia e Bardhë.

Por Kalden Lodoe nga Bashkësia Tibetiane në Uashington është shprehur se ai nuk e kupton reagimin e tillë të palës kineze për këtë takim.

"Barak Obama nuk është presidenti i parë amerikan që takohet me Dalai Lamën. Prej vitit 1990 atë e ka pritur secili president amerikan. Kështu që kjo është kthyer në rutinë", tha ai.

Pekini akuzon udhëheqësin shpirtëror të tibetianëve i cili jeton në ekzil se po angazhohet për shkëputjen e Tibetit nga Kina.

Kurse Obama e ka cilësuar atë si një "kryetar fetar të respektuar në rrafsh ndërkombëtar".

n.e/NOA

KOMENTE