Dëshmitë e lehonës për rrëmbimin, detajet nga xhaxhai i vogëlushes, hetimet e polcisë dhe reagimet e qeverisë. Fotot e ngjarjes
Athinë, 18 Shkurt NOA - Një vajzë e sapolindur u rrëmbye nga krahët e një nëne shqiptare në Athinë dhe disa orë më vonë u gjet në një maternitet tjetër, pasi një grua greke e rrëmbeu atë. Ngjarja ka ndodhur natën duke gdhirë dita e sotme (E Enjte), në maternitetin "Elena Venizelu" në Athinë, informon korrespondentin i agjencisë NOA në kryeqytetin grek.
Xhaxhai 32-vjeçar i të voglës, Albert Shyti, tregon se vajza lindi një ditë më parë, mesditën e së mërkurës dhe është fëmija i dytë i çiftit Agron dhe Brunilda Shyti. Bebja u gjet mesditën e së Enjtes, pasi një grua me të zeza dhe me syze të zeza, e dorëzoi tek materniteti "Aleksandra" në Egjeleo.
Si ndodhi rrëmbimiBruna 28 vjeçare e kishte beben e saj të porsalindur në shtratin pranë të sajit në dhomën që ju shihni në foto dhe në orën 04.30 të mëngjesit të sotëm, i doli gjumi dhe një herë dhe pa se fëmija ishte aty, në gjumë. E qetë, ka vijuar të flejë, por është zgjuar vetëm pak minuta më vonë duke ndjerë një zhurmë dhe me të kthyer sytë nga shtrati i vogël, pa se bebja nuk gjendej më aty.
Bruna tregon se ajo e lemerisur ka dalë dhe ka klithur duke kërkuar ndihmën e mamive dhe policisë.
Në mënyrë urgjente në maternitetin "Elena Venizelu" mbërriti sekretari i Përgjithshëm Nikos Poluzos i cili i ka tërhequr vëmendjen drejtuesve për mungesë sigurie. Shqetësues është konsideruar fakti se në turnin e natës vetëm një punonjës sigurie gjendet në maternitet nga 4 që gjenden gjatë ditës.
Sot pasdite, 34-vjeçarin Agron Shyti dhe e shoqja Bruna kanë marrë fëmijën e tyre dhe janë larguar për në shtëpi.
Hetimet
Policia tha se është vënë në kërkim të 45 vjeçares greke që ka rrëmbyer fëmijën dhe e ka lënë më pas në maternitetin tjetër por deri tani nuk ka konfirmim për arrestimin e saj. Dyshohet se 45-vjeçarja ka probleme psikologjike. Policia refuzoi të japë identitetin e saj por pranoi se e ka identifikuar atë.
Mësohet se kur kishte dorëzuar fëmijën, 45-vjeçarja i kishte thënë mjekëve dhe mamive në maternitetin "Aleksandra" se ishte shtatzënë, i kishin plasur ujërat dhe kishte lindur në shtëpi dhe po e linte fëmijën pasi nuk e donte dhe ishte larguar me të shpejtë.
n.s/e.r/NOA