English

Dialogu Rama-Berisha, SHBA: Palët të gjejnë zgjedhje konstruktive

Zagreb, 18 shkurt, NOA - Vendosja e dialogut me PD dhe PS është i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike. Ky është qëndrimi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur në lidhje me situatën politike në vend.

Vlerësimi i SHBA-ve për dialogu politik, i është bërë i ditur Presidentit Topi gjatë takimit me Nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju, në Zagreb të Kroacisë.

Në takimin me dy personaliteteve, zyra e shtypit të kreut të shtetit, njofton se temë e bisedës ka qenë dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri. "Në këtë pikë, Nënsekretari amerikan i shtetit çmoi përpjekjet e Presidentit të Republikës duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike", thuhet në njoftimin e presidencës në lidhje me takimin.

Nga ana e tij kreu i shtetit u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës.

Gjithashtu, dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se mbledhja e tryezës është një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive.

Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja në të ardhmen. "Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë, si në rrugën e transformimeve të brendshme demokratike e në konsolidimin e demokracisë shqiptare, ashtu edhe për angazhimin e vazhdueshëm e kontributin e madh në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO", ka thënë Topi.

Nënsekretari i shtetit, Xhejkob Lju, vlerësoi rolin e Sqhiëprisë në rajon dhe stabilitetin që ka gjetur Ballkani pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Nëpërmjet Nënsekretarit amerikan të Shtetit, z. Lju, Presidenti Barak Obama dhe Sekretarja e Shtetit amerikan, Hilari Klinton i përcollën Presidentit Topi përshëndetjet më të ngrohta e miqësore si dhe vlerësimet për partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

xh/NOA

KOMENTE