Gazeta gjermane Die Welt boton në numrin e të mërkurës një artikull për dyvjetorin e pavarësisë së Kosovës
Shkrimin me titull "Një shtet, më i mirë se emri që ka", Richard Herzinger e nis me vlerësimin se interesi publik për Kosovën ka rënë, për shkak të luftës së Afganistanit dhe logjikës fatale se nuk kemi nevojë të hedhim sytë aty ku nuk shkrepet më.
Por, mungesa e interesit ndaj kosovarëve mund të shihet si shenjë e mirë, sepse skenarët e katastrofave të imagjinuar nga kritikët e pavarësisë nuk u realizuan. Ata thonin se deklarimi "i njëanshëm" i pavarësisë nga Serbia do të çojë në kryengritje të përgjakshme të pakicës serbe dhe se pakicat e tjera në Ballkan do të ndiqnin shembullin e Kosovës për ndarje të reja që do të zhyste të gjithë Ballkanin në kaos.
Disa madje thonin se pavarësimi i Kosovës, të banuar nga myslimanë do të shkaktonte sulm fundamentalistësh islamikë në Evropë. Asnjë nga këto vizione apokaliptike nuk u realizua.
Sigurisht, që Kosova është ende larg të qenit një shtet solid, që mban vetveten. Paqja e brendshme e rendit, kushtetuta e saj demokratike dhe pluraliste duhet të ruhet dhe të garantohet nga kontigjente të mëdha të komunitetit ndërkombëtar.
Korrupsioni dhe ekonomia e bandave e gërryejnë vendin ashtu si dhe mungesa e partive solide demokratike me programe të qarta.
Por, ndryshe nga profecitë e errëta, grupet popullore të armiqësuara në Kosovë nuk dolën kundër njëri - tjetrit, përkundrazi raportet midis tyre janë çtensionuar, mbase edhe për shkak të sigurisë së brendshme dhe lodhjes me luftën.
Përkundër politikës obstruktive të Beogradit, shumica e popullsisë serbe në Kosovë ka filluar prej kohësh të orientohet në raportet e reja dhe të shfrytëzojë mundësitë e mëdha që i janë ofruar.
Kjo ka ndihmuar jo vetëm që vendi i rraskapitur ta marrë veten, por siç thonë disa raportet e krijuara me krijimin e shtetit kosovar kanë çuar në stabilizimin e të gjithë rajonit.
Die Welt / Richard Herzinger