English

Dolën për të prerë dru, lumi merr trupin e një të riu, i thyen këmbën një tjetri

Tepelenë, 18 shkurt, NOA - Një telefonatë nga një banor i fshatit Peshtan të Tepelenës, i ka lajmëruar forcat e policisë se në lumin e Zagories që kalon poshtë këtij fshati, është mbytur një djalë rreth 17-vjeç.

Grupi hetimor që mbërriti menjëherë në vendngjarje, konstatoi se në vendin e quajtur "Monikë" në anën e lumit, dy banorë të këtij fshati kishin shkuar për të prerë dru dhe se njërin prej tyre e ka marrë rrjedha e ujit, ndërsa tjetrit i ka thyer këmbën.

Mësohet se ata janë Kristo Gjoka, 17-vjeç si dhe Edmond Malaj, 46-vjeç, të kanë shkuar në anën e lumit Zagorie dhe me një motosharrë kanë prerë një pemë rrap për ta hedhur në lumë me qëllim t'i ndryshonin rrjedhën atij, pasi donin të kalonin bagëtitë e trasha për t'i kullotur në anën tjetër.

Por Gjoka në momentin e fundit që rrapi ka rënë, ka rrëshqitur bashkë me pemën, duke rënë në lumë, ku rrjedha e ka marrë dhe s'ka mundur dot të dalë.

Ndërsa Mondi Malajn, e ka zënë fundi i rrapi në këmbë duke i thyer këmbën, e më pas nëpërmjet telefonit celular ka kërkuar ndihmën e njerëzve të tij, të cilët kanë shkuar dhe e kanë nxjerrë duke e transportuar për në spitalin Gjirokastër ku dhe është shtruar për të marrë ndihmën mjekësore.

Nga ana e forcave të policisë së bashku me banorët janë kryer kërkime në gjatësinë e rrjedhës së lumit deri në orët e vona të natës, për të gjetur trupin e 17-vjeçarit, por ende nuk ka rezultate konkrete.

n.e/NOA

KOMENTE