Belgjikë, 18 shkurt, NOA - Policia e Belgjikës ka kërkuar ndihmën e homologes së saj shqiptare dhe të qytetarëve shqiptare për të gjetur shtetasen e humbur dy vite më parë në Belgjikë, Albana Margjeka.
Sipas njoftimit të policisë së Shtetit, kjo shtetaset është shpallur e humbur në Belgjikë që më datë 15 janar 2008. "Shtetasja Albana Margjeka, vjeç 30, më 15 janar 2008, rreth orës 14.00', ka lënë banesën e saj në Ham-Sur-Heure/Nalinnes, rruga Bois Rombut, në Belgjikë. Pas kësaj date nuk ka më asnjë gjurmë të saj. Për këtë arsye autoritetet belge kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit për të gjetur këtë shtetase", thuhet në njoftimin e policisë belge.
Policia shqiptare kërkon bashkëpunimin e qytetarëve shqiptarë që kanë informacion për Margjekaj, të cilët mund të kontaktojnë me shërbimet e Policisë së Shtetit në numrin pa pagesë 129.
Policia e vendit tonë jep detaje dhe për pamjen fizike të Margjekës. Sipas njoftimit të policisë ajo "është rreth 1m e 65 cm, me trup të dobët dhe flokë të zinj të prerë shkurt. Në momentin e zhdukjes, ajo ishte veshur dukshëm me veshje sportive të zezë. Zj. Margjeka është parë të lëvizë me mjetin e saj tip Volkswagen Golf me targë XQM 558", thuhet në njoftim.
xh/NOA