Tiranë, 18 shkurt, NOA Foto Update - Partia Socialiste ka përsëritur sot qëndrimin e saj për hapjen e kutive, duke i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të mos zgjas procesin e negociatave.
Deputeti i PS-së, Blendi Klosi u shpreh se selia roza ka bërë kompromisin më të madh duke njohur rezultatin, por nuk mund të tërhiqet nga hapja e kutive."Partia Socialiste rithekson edhe njëherë qëndrimin e saj në mbështetje të tryezës së dialogut dhe i bën thirrje mazhorancës së Sali Berishës që të mos injorojë vullnetin e mirë të Partisë Socialiste për dialog dhe të mos zvarrisë me kot arritjen e një kompromisi", u shpreh Klosi.
Ai ka përsëritur dhe një herë qëndrimin e kryesocialistit, Rama për hetim të plotë të zgjedhjeve pa ndryshim rezultati.
Sipas Klosit, ky është një qëndrim parimor i bazuar në vlerat e standardet europiane të demokracisë, në respekt të plotë të Kushtetutës, ligjit dhe institucioneve të pavarura të Shqipërisë.
"Partia Socialiste e ka ofruar tashmë kompromisin e saj të madh duke njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit pavarësisht rezervave në lidhje me mbarëvajtjen e procesit. I takon tani mazhorancës që të kontribuojë për zgjidhjen e krizës duke lejuar krijimin e një komisioni hetimor parlamentar me objekt të pakufizuar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit", u shpreh Klosi.
m.xh/NOA