Gjirokastër, 18 Shkurt NOA/ Milena Selimi - Ka filluar puna për krijimin e një muzeumi të ri të madh në kështjellën e Gjirokastrës. Janë liruar ambiente dhe po hidroizolohen mjedise të tëra në kala. Ai do ketë qëllimin që të krijojë potencialin për të rivitalizuar hollësisht jo vetëm fatin e kështjellës, por edhe të krejt qytetit të vjetër.
Do të jetë historik, etnografik dhe armësh i gjithë Luginës së Drinos. Ai do të shërbejë si një tërheqje e madhe turistike, si një gjenerator punësimi dhe të ardhurash dhe gjithashtu edhe si një katalizator për konservime të mëtejshme dhe ruajtje të ndërtesave përreth. Lajmi është konfirmuar nga GCDO - Organizata për Zhvillimin dhe Ruajtjen e Gjirokastrës, që është edhe ideatore e saj.
Përfshirja e qytetit nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe afërsia e madhe me rrugët pan-Ballkanike kanë sjellë rritjen e numrit të turistëve për të parë sitet e këtij rajoni. Gjirokastra, vetë, është e vendosur shumë mirë gjeografikisht për të përfituar nga rritja e shpejtë e numrit të turistëve.
Janë vetëm nëntëdhjetë minuta udhëtim nga siti arkeologjik i njohur i Butrintit, i cili pret afërsisht rreth 70,000 turistë në vit.
Ndaj, një muze i tillë më shumë sesa risi është domosdoshmëri për afrimin e këtyre turistëve dhe pse jo zgjatjen e qëndrimit të tyre në qytet, kanë thënë autoritetet.
m.s/e.r/NOA milenaselimi@noa.al