English

Një zgjidhje për shumë kriza

Një delegacion i nivelit të lartë kryesuar nga presidenti i asamblesë së Këshillit të Evropës njoftoi sot se do të vijë në Shqipëri më 22 shkurt, për t'i dhënë shtytje zbatimit të rezolutës së Këshillit të Evropës për krizën politike në Shqipëri. Po dje Presidenti Bamir Topi është takuar me nënsekretarin amerikan të shtetit Xhejkob Lju në Kroaci dhe kanë vlerësuar faktin se palët duhet të ruajnë vullnetin politik për të zgjidhur krizën me negociata. Presioni i rritur ndërkombëtar vjen në një kohë, kur palët politike në vend, kanë ngecur te pozicionet e tyre dhe takimet formale

Mero Baze*

Presioni ndërkombëtar në rritje ndaj dy palëve në Shqipëri për zgjidhjen e krizës politike nuk ka në fokus vetëm transparencën e zgjedhjeve, por edhe një klimë normale bashkëpunimi për disa reforma kyçe që nevojiten që Shqipëria të fitojë liberalizimin e vizave dhe t'i pranohet kërkesa për aplikimin si vend kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian.

Kjo domosdoshmëri për Shqipërinë, bën të domosdoshme jo vetëm transparencën e thellë të zgjedhjeve, por dhe rikthimin e besimit mes palëve për të punuar secila në vendin e vet për këto reforma.

Për këtë shkak, përpjekja për ta minimizuar kërkesën themelore të opozitës dhe për të arritur një gjysmë-marrëveshje për të, nuk zgjidh realisht asgjë për shoqërinë shqiptare.

Një opozitë e futur në Kuvend për procedurë apo për pazar politik, por refuzuese e egër e qeverisë në çdo nismë ligjore, nuk do t'i sillte asnjë dobi vendit.

Në momentin që opozita ka pranuar legjitimitetin e zgjedhjeve të 28 Qershorit, megjithë defektet e tyre dhe ka pranuar se njeh institucionet, ajo ka nevojë për kompromis me qëllim që të rikthehet një klimë bashkëpunimi mes palëve.

Parlamenti shqiptar ka në procedurë disa ligje që kërkojnë votat e opozitës dhe Bashkimi Evropian ka në pyetësorin e tij një bllok të tërë pyetjesh për klimën politike, të cilat nuk mund të plotësohen nga burokratët, por nga drejtuesit politikë të vendit.

Për këtë arsye çdo marrëveshje gjysmake apo lojë struci me bisedimet është e kotë. Kjo opozitë de fakto ka hyrë në parlament pasi e ka pranuar atë. Që ajo të marrë pjesë aktive atje, duhet së pari të plotësohet kërkesa për transparencë zgjedhjesh dhe së dyti të jepen garanci për balancime institucionesh me qëllim që të zhduken simptomat e shtetit klasor që po shfaqet pas 28 Qershorit.

Në këto rrethana çdo përpjekje për të kthyer në qëllim në vetvete çuarjen e opozitës në parlament nuk funksionon, pasi një opozitë refuzuese dhe jo bashkëpunuese është njësoj e dëmshme për demokracinë si të marrë rrogën e zonjës Topalli si të mos e marrë.

Për këtë shkak këndvështrimi i ndërkombëtarëve dhe vëmendja e shtuar e tyre ndaj krizës, është i madh, pikërisht sepse ata nuk duan një zgjidhje mekanike të saj, por një zgjidhje thelbësore dhe një klimë besimi për të demonstruar aftësinë politike për dialog dhe respektim të institucioneve.

Berisha e ka humbur betejën për ta konsideruar bojkotin e kushtëzuar si problem personal të Edi Ramës, ashtu sikundër ky i fundit e ka humbur betejën për të mundur politikën e vjetër të Sali Berishës dhe Fatos Nanos me gjuhën e moderuar dhe imazhin e misionarit që tentoi të konsolidonte përpara zgjedhjeve.

Tashmë të dy palët duhet ti drejtohen një marrëveshjeje të gjerë që mund të sjellë stabilitet politik dhe institucional në Shqipëri, dhe jo zgjedhjeve të pjesshme apo ngërçit të debatit vetëm mbi hapjen mekanike ose jo të kutive.

Po aq e rëndë sa mungesa e transparencës së zgjedhjeve, është mungesa e transparencës së qeverisjes, mungesa e debatit mbi krizën ekonomike, mungesa e vizionit për të dalë nga kjo krizë dhe mungesa e perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Kush i merr lehtë këto kriza dhe i vë në një peshore me interesat e veta të përfitimit personal, do të jetë përgjegjës për pasojat e tyre.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE