Zagreb, 18 shkurt, NOA - Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot takimin e tij të parë zyrtar me presidentin e ri kroat, Ivo Josipoviç, menjëherë pas ceremonisë së inaugurimi të tij në këtë detyrë, të mbajtur në Zagreb. Bëhet me dijeni se presidenti Topi i shprehu homologut të tij kroat urimet me të mira për zgjedhjen në postin e presidentit dhe marrjen e detyrës, si dhe shprehu kënaqësinë e këtij takimi të parë me bindjen për vazhdimësinë e takimeve e bashkëpunimit të ngushtë edhe në të ardhmen.
Në vijim të takimit, kryetari i shtetit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që Shqipëria ka me Kroacinë, duke shprehur vullnetin dhe angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve tona, e sidomos të atij ekonomik për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomiko-tregtare. Gjatë bisedës, Topi e njohu presidentin kroat, Josipoviç me zhvillimet më aktuale në Shqipëri për realizimin e reformave integruese të vendit në Bashkimin Evropian. Presidenti vuri në dukje se shteti shqiptar dhe qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm për të gjitha sfidat me të cilat do të përballen në vijimësi për të qenë dhe për të ruajtur standardet e familjes evropiane dhe për këtë nënvizoi përkushtimin e plotë maksimal të tyre.
"Ne përgëzojmë progresin e arritur nga Kroacia dhe çeljen e bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE, si dhe vlerësojmë veçanërisht të rëndësishme përvojën e Kroacisë në procesin e përbashkët për integrim në strukturat e saj", - theksoi Topi.
"Në kuadër të lehtësimit të mëtejshëm të regjimit të vizave që po përpiqemi të arrijmë me BE-në, do të vlerësonim hapat që pala kroate do të ndërmerrte ndaj Shqipërisë për heqjen e sistemit të vizave nga pala kroate", - u shpreh më tej kryetari i shtetit. Gjithashtu, Presidenti Topi vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin midis dy vendeve tona në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si dhe nënvizoi angazhimi maksimal të Shqipërisë dhe Kroacisë përkrah aleatëve në kapërcimin e sfidave të ndryshme globale, në rrjedhën e të cilave tashmë dy vendet tona janë bërë pjesë. Nga ana e tij, presidenti i ri i Kroacisë, Josipoviç, e falënderoi presidentin Topi për pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit të tij në detyrën e re.
Ai o vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë në rrugën e reformave, sidomos hyrjen në NATO, duke inkurajuar për vazhdimin e rrugëtimit integrues të vendit tonë në Bashkimin Europian.
n.e/NOA