English

Presidenti Topi, takim me nënsekretarin amerikan të Shtetit

Zagreb, 18 shkurt, NOA - Presidenti Bamir Topi takoi sot në Zagreb, nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju. Ai vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja në të ardhmen. "Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë, si në rrugën e transformimeve të brendshme demokratike e në konsolidimin e demokracisë shqiptare, ashtu edhe për angazhimin e vazhdueshëm e kontributin e madh në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO", - u shpreh Topi në këtë takim.

Në vijim të bisedës, presidenti Topi e njohur Lju me disa prej zhvillimeve më aktuale në vend, duke vënë në dukje dhe arritjet e vendit në politikën e jashtme, angazhimin serioz e me përgjegjësi në NATO, si dhe vazhdimësinë e procesit euro-integrues të vendit në kuadër të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Temë e bisedës ishte dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri dhe u vlerësua se mbledhja e saj është një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive.

Presidenti u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës.

Në këtë pikë, nënsekretari amerikan i Shtetit çmoi përpjekjet e Topit, duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike. Duke vënë në dukje faktin se Kosova dje festoi dyvjetorin e Pavarësisë së saj, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen e shtetit dhe të mbarë popullit shqiptar për qëndrimin e SHBA-së ndaj çështjes së Kosovës.

"Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri shumëetnik e demokratik që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, rajoni i Ballkanit është projektuar i tëri drejt integrimit euroatlantik", - u shpreh Topi. n.e/NOA

KOMENTE