Vjenë, 18 shkurt, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka falënderuar publikisht mbështetjen e OSBE-së për atë që ai e quajti "mirëkuptim të plotë ndaj shqetësimeve të opozitës shqiptare".
Një gjë të tillë ai e ka bërë gjatë një konference për shtyp pas vizitës së tij në Vjenë, duke cituar deklaratën e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së, Joao Soares, e cila ka marrë në konsideratë ankesat e opozitës për rezultatin e 28 qershorit.
Sipas Ramës, në deklaratat e Soares bëhet i ditura fillimi i një hetimi parlamentar për zbardhjen e zgjedhjeve dhe theksoi se kryeministri Berisha duhet të dëgjojë deklaratat e ndëkombëtarëve.
"Sali Berisha duhet t'i dëgjojë këmbanat që bien nga ndërkombëtarët për krizën përpara që kriza të bëhet e papërballueshme për shqiptarët", theksoi Rama lidhur me një fakt të tillë.
Më tej, ai shtoi se duke iu referuar rekomandimeve të OSBE-së për rikthimin e opozitës në Kuvend, partia që ai drejton është e gatshme t'i japë fund bojkotit, menjëherë pasi t'i hapet rruga hetimit të plotë të zgjedhjeve. "Rishpreh vullnetin tim për të mbyllur bojkotin me t'u mbyllur kufizimi i hetimit. Ne jemi në bojkot sepse demokracia është në krizë. Fundi i kësaj krize përfundon me transparencën e plotë të zgjedhjeve", u shpreh Rama. Nga ana e tij, Soares tha se pavarësisht ndonjë ankese që mund të kenë për zgjedhjet, deputetët socialistë duhet të hyjnë në parlament pasi ekziston rreziku që nëse ata nuk e bëjnë këtë deri javën e ardhshme, mund të humbin mandatin e tyre.
"Eshtë e qartë që mund të ngrihet një komision hetimor, i cili respekton ligjet në fuqi dhe që mund të jetë mjaft i dobishëm", shtoi Soares në deklaratën e tij.
n.e/NOA