Uashington, 18 Shkurt - Dy fitues të çmimit Nobel për Paqe takohen të enjten në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar një çështje që mund t'u kushtojë Shteteve të Bashkuara me shumë se dy luftërat e marra së bashku. Bëhet fjalë për marrëdhëniet e Tibetit me Kinën.
Në një takim të organizuar me kujdes, presidenti Obama dhe Dalai Lama, do të lënë pas krahëve protestat e Kinës dhe do të ringjallin traditën e gjatë të mbështetjes amerikane për Tibetin, në përpjekjet e tij për autonomi më të gjerë nga Pekini.
Derisa presidenti Obama do të zhvillojë takimin e parë me udhëheqësin shpirtëror në mërgim të tibetianëve, aktivistët i bënë thirrje baroneshës Ashton t'i bëjë një ftesë të ngjashme Dalai Lamës, "në përputhje me vlerat evropiane të dialogut dhe të pajtimit". Takimi me një nga ikonat e lëvizjes për të drejtat e njeriut nuk besohet se do të shoqërohet me paraqitje publike. Edhe në këto kushte, takimi do të thellojë mosbesimin që ekziston në raportet e trazuara amerikano-kineze dhe ka fuqinë që t'i dëmtojë interesat amerikane në një mori çështjesh nga Irani, e deri te vlera e dollarit. Shtëpia e Bardhë është kujdesur të theksojë se Dalai Lama do të pritet si udhëheqës shpirtëror, e jo si udhëheqës politik. Megjithatë, konteksti politik i takimit nuk mund të anashkalohet. Takimi ishte shtyrë deri pas vizitës së parë të presidentit Obama në Kinë, me shpresën se do të mund të fitonte bashkëpunimin e Kinës në politikat e ndryshimeve klimatike dhe sanksionet kundër Iranit. Që nga dështimi i kësaj strategjie, zoti Obama ka miratuar marrëveshje në vlerë prej 6.4 miliardë dollarësh në shitjen e armëve Tajvanit, kurse Kina ka lejuar rënien e bonove të thesarit të Shteteve të Bashkuara në tregun botëror. Kina, gjithashtu, nuk ka pranuar të tërhiqet nga mosmarrëveshjet e krijuara me gjigantin amerikan të internetit, Google. Në këto kushte, sigurimi i ftesës nga presidenti Obama dhe një takim tjetër me Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, shihet si fitore e madhe nga tibetanët. Robert Gibs, zëdhënësi i shtypit i presidentit Obama, tha se "presidenti thjesht do të inkurajojë Pekinin dhe Dalai Lamën të vazhdojnë bisedimet". Nëntë vitet e takimeve sporadike nuk kanë shënuar ndonjë përparim, sa i përket lirisë fetare për tibetianët budistë dhe për trajtimin që Pekini u bën disidentëve tibetianë. Megjithatë, ajo që paraqet shqetësim në afat të gjatë për Shtetet e Bashkuara është fundi i dashurisë kineze me borxhin amerikan. Në dhjetor Kina hoqi qafe bono-thesarin amerikan në vlerë prej 34.2 miliardë dollarë. Nëse një gjë e tillë vazhdon, vizita e klerikëve budistë është shqetësimi i fundit i zotit Obama. "Times"