"Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kosovës do të fitojnë një ritëm të ri dhe të paparë gjatë këtij viti, kur pritet të bëhet plotësisht funksionale autostrada që lidhe dy vendet tona, e cila, në një të ardhme të afërt, besoj se do të zgjatet deri në Serbi, për t'u shndërruar në një korridor të rëndësishëm rajonal, korridor paqeje, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi të Ballkanit Perëndimor"
Nga Ilir Meta"
Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme
Është kënaqësi dhe nder i veçantë që në këtë përvjetor të dytë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, një ngjarje me rëndësi historike për mbarë kombin, në emrin tim dhe të Qeverisë shqiptare, t'ju përshëndes dhe, me këtë rast, t'i përcjell gjithë qytetarëve të Kosovës urimet më të ngrohta e më të përzemërta, për mirëqenien, përparimin dhe begatinë e tij. Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 shënoi kurorëzimin e përpjekjeve dhe të sakrificave të qytetarëve të Kosovës për liri e dinjitet.
Dy vjet janë pak në historinë e një vendi. Por dy vitet e para të Pavarësisë së Kosovës i japin të drejtë qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike të saj të krenohen për zgjedhjen e bërë dhe progresin e shënuar.
Në dy vjet shqiptarët dhe popullsitë e tjera në Kosovë, dëshmuan se mund të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.
Në dy vjet ata dëshmuan se mund të ndërtojnë institucione të së drejtës shtetërore dhe se mund të ecin përpara e të përballojnë sfidat e përbashkëta.
Kosova e pavarur është rritur, është konsoliduar e po ecën me siguri në rrugën që vetë populli i saj ka zgjedhur.
Kosovës i janë shtuar miqtë e partnerët kudo në botë. Ajo është njohur prej shumicës se vendeve anëtare të NATO-s e BE-së, është njohur prej shumë vendesh të mëdha e partnere anë e mbanë botës, ç'ka konfirmon pranimin në rritje të këtij realiteti të ri e të pakthyeshëm.
Akti i njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës nga të gjitha vendet fqinje të saj, me përjashtim të Serbisë, është një provë e qartë se pavarësia e Kosovës përbën një kusht vendimtar për stabilitetin e rajonit dhe përshpejtimin e procesit europianizues të tij. Pavarësia e Kosovës ka krijuar një realitet tjetër marrëdhëniesh ndëretnike. Në Kosovë, gjithnjë e më shumë po krijohet klima e nevojshme e bashkëjetesës si një konstante e pandryshueshme e evropianizimit të saj.
Ndaj Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e angazhuar dhe për financimin e projekteve konkrete në dobi të komunitetit serb në Kosovë, pasi ne besojmë se përmirësimi i kushteve i kontribuuan integrimit edhe të këtij komuniteti në shoqërinë dhe
Qeveria e Republikës së Shqipërisë inkurajon dhe mbështet me vendosmëri qeverinë e Kosovës në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e saj, si dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët e vendit.
Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kosovës do të fitojnë një ritëm të ri dhe të paparë gjatë këtij viti, kur pritet të bëhet plotësisht funksionale autostrada që lidhe dy vendet tona, e cila, në një të ardhme të afërt, besoj se do të zgjatet deri në Serbi, për t'u shndërruar në një korridor të rëndësishëm rajonal, korridor paqeje, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi të Ballkanit Perëndimor.
(*) Fjala e mbajtur me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës