Në vendet e ish-Jugosllavisë homoseksualiteti nuk është i ndaluar. Megjithatë të dalësh hapur në këto vende si homoseksual nuk është e lehtë dhe madje nganjëherë edhe me rrezik për jetën. Homoseksualiteti në Ballkan nuk i vjen për shtat as botëkuptimit të burrave me formim fetar as peizazhit politik të dominuar nga nacionalistët.
Cilat janë arsyet e homofobisë?
"Vdekje homoseksualëve, - ndalni paradën" - grafiti të tilla tregonin vjeshtën e kaluar homofobinë që ekziston në kryeqytetin serb. Parada e homoseksualëve „Belgrad Pride", u ndalua në minutën e fundit që të mbahej.
Pas kërcënimeve të hapura me dhunë të huliganëve dhe organizatave ekstremiste të djathta, kryeministri serb Mirko Cvetkovic vuri frenat. Megjithëse qeveria i kishte premtuar organizatorëve të paradës prezencën e 5000 policëve si masë mbrojtëse, politikani argumentoi se siguria nuk mund të garantohet në qendër të qytetit milionësh. Ai i ofroi organizatorëve si alternativë mbajtjen e paradës në një vend periferik. Ata e kuptuan këtë hap si margjinalizim të ri të pakicës dhe e refuzuan ofertën.
„Ashtu si shumica e vendeve të rajonit edhe Serbia ndodhet në një gjendje pas lufte. Për një kohë të gjatë këtu është mbajtur si ideal figura e burrit të dhunshëm, për një kohë të gjatë dhuna është duruar të përdoret si mjet legjitim për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve. Me pasojat e këtij sistemi duhet të merret e gjithë shoqëria, sepse viktima të sistemit nuk janë vetëm homoseksualët por është e gjithë shoqëria," thotë duke u ankuar Boris Milicevic nga „Gej strejt alijansa" (Gay straight Allianz), një nga organizatorët e „Belgrad Pride".
Dhuna e homofobëve arriti kulmin në Serbi në vitin 2001, kur u zhvillua parada e parë dhe e vetme „Gay Pride"- në Beograd. Fanatikë të dhunshëm, huliganë dhe anëtarë të skenës klerikale neofashiste, sulmuan paradën brutalisht duke i dhënë asaj fund me derdhje gjaku. Policia ndërhyri vetëm kur u kthye vetë në objektiv të dhunës. Përndjekja ndaj pjesëmarrësve të paradës në qendër të Beogradit dhe të plagosurit e shumtë u panë me shqetësim edhe nga jashtë vendit.
Jo vetëm në Serbi
Homoseksualët dhe lesbiket nuk ndodhen në gjendje të vështirë vetëm në Serbi. Skenat e trazuara, rrahjet dhe shpërthimet e dhunës në kuadër të paradave të homoseksualëve njihen nga të gjitha vendet fqinjë të Evropës Juglindore.
Shoqatat e homoseksualëve dhe organizatat e të drejtave të njeriut akuzojnë gjithnjë qeveritë se kapitullojnë para nacionalistëve, duke përdorur si pretekst rreziqet e mëdha për të refuzuar mbajtjen e manifestimeve.
Megjithatë ka dallime në trajtimin dhe perceptimin publik të pakicës homoseksuale në "jetën e përditshme" në vendet e ish Jugosllavisë. Këto dallime janë pjesërisht të mëdha dhe varet nga demokratizimi dhe evropianizimi i vendeve të caktuara, thotë aktivisti i homoseksualëve të Zagrebit, Franko Dota: "Sllovenia (vend anëtar i BE-së), do të legalizojë për disa muaj bashkimet e gjinive të njëjta edhe ligjërisht, në kuptimin e martesave dhe të drejtës për adoptimin e fëmijëve. Kroacia, vend kandidat për pranim në BE, e ka nxjerrë një ligj për partneritetin e gjinive të njëjta. Një varg partish politike dhe presidenti i deritanishëm i vendit, Stjepan Mesic përkrahin homoseksualët në shqetësimet e tyre. Përpjekjet për të organizuar një paradë „Gay Pride" në Serbi, përfunduan për fat të keq praktikisht me ndalimin e saj. Në Bosnjë - Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi ose Kosovë nuk janë bërë përparime të rëndësishme."
Të drejtat vetëm në letër?
Të drejtat e homoseksualëve janë shtuar vitet e fundit në Ballkan. Serbia nxori me presin të Bashkimit Evropian, në mars të 2009-ës një ligj kundër diskriminimit të pakicave: „Nxjerrja e ligjeve nuk mjafton, ligjet duhet të zbatohen në praktikë. Ashtu si edhe në vendet e tjera që kërkojnë të hyjnë në BE, zbatimi i ligjeve mbetet problem i madh. Për të zbutur atmosferën ekzistuese të homofobisë duhet vepruar në mënyrë preventive. Si në media ashti edhe në shkolla, në shëndetësi, në familje, tek policia, gjykatat duhet të bëhen më eficiente, ka shumë për të bërë".
Shumë njerëz në Ballkan e shohin homoseksualitetin ende si një sëmundje, siç tregojnë sondazhet. Ky mesazh përhapet më shumë nga kishat dhe organizatat e tjera fetare. Para „Belgrad-Pride" priftërinjtë ortodoksë patën folur për "turp": Lidhje "normale" midis dy njerëzve është vetëm lidhja midis burrit dhe gruas, thonë ata gjithnjë.
Amnesty International ka raportuar vazhdimisht për dhunën fizike nga ana e shtetit dhe jo e shtetit, si dhe sulmet ndaj mediave që mbrojnë të drejtat e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transseksualëve dhe është ankuar se vetëm pak kundravajtës janë dënuar. Sundon një klima frike.
Për shkak të ambientit armiqësor dhe sulmeve të dhunshme vetëm pak homoseksualë janë të gatshëm të pranojnë hapur orientimin e tyre seksual. Shumica e tyre nuk flasin as në familje për këtë çështje.
„Të tjerët mendojnë se ne jemi dy shoqe të ngushta... kështu ne përpiqemi të fshehim marrëdhënien tonë. Një ditë mbase do të pranoj para prindërve se jam lesbike... por tani nuk mund ta mendoj një gjë të tillë, për shkak të ambientit ku jetojmë," thotë një vajzë e re nga Mostari, në Bosnjë Hercegovinë. Ajo ka arsye të mjaftueshme për të patur frikë. Në Sarajevë, demonstruesit ndër të cilët edhe vahabitë radikalë, ithtarë të rrymave islamike fundamentalistë sulmuan pjesëmarrësit e një festivali të homoseksualëve. Ata rrahën pjesëmarrësit e festivalit të gejve "në emër të Allahut".
Të drejtat e homoseksualëve janë në shumë vende të Evropës juglindore prova për të drejtat elementare qytetare dhe të njeriut. Sa serioze është kjo provë, e tregon Parlamenti Evropian në shembullin e Kroacisë. Në një rezolutë, deputetët e BE-së vlerësuan me shumicë përparimet e mëdha të vendit ne drejtim të anëtarësimit të plotë në BE, por shprehën edhe shqetësimin e tyre për shkak të ambientit negativ kundër pakicës së homoseksualëve.
Srecko Matic & Aida Cama/ DW