Uashington, 18 Shkurt NOA Update - Presidenti amerikan, Barak Obama, u takua sot me liderin shpirtëror të Tibetit në ekzil, Dalai Lama.
Lideri budist, Dalai Lama, tha se me presidentin Obama bisedoi për paqe dhe harmoninë fetare: "Me presidentin Obama fola për promovimin e vlerave njerëzore, me qëllim të sjelljes së paqes në botë, për të mirën e familjes paqësore, individit paqësor", tha Dalai Lama, pas takimit me zotin Obama.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha se Obama "e ka paraqitur mbështetjen e fuqishme për ruajtjen e identitetit unik fetar, kulturor dhe gjuhësor të Tibetit dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për tibetianët në Republikën Popullore të Kinës". Presidenti Obama e ka përshëndetur përkushtimin e Dalai Lamës për jodhunë dhe ka kërkuar dialog të drejtpërdrejtë me Kinën lidhur me Tibetin, citon radio Evropa e Lirë. Kina e ka kundërshtuar takimin e zotit Obama me liderin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama, të cilin Pekini e konsideron separatist.